GazetaMax
Lajme

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në pritje të një sinjali pozitiv nga Bullgaria

Shkup, 20 maj – Çështja e marrjes së datës për fillim të negociatave me BE-në është bërë edhe vendimtare për jetëgjatësinë e Qeverisë në Maqedoninë e Veriut, pra nëse dështojnë në qershor ka gjasa që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Nga njëra anë Parlamenti Evropian bën thirrje që të nisin bisedimet për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, nga ana tjetër Macron propozon ide për krijimin e një bashkësie gjeopolitike ku do të anëtarësohen vendet që nuk janë pjesë e BE-së por ndajnë vlera të njëjta, shkruan Zhurnal.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ndodhen në prag të vendimit të shumëpritur për sa i përket përpjekjeve maksimale për të marrë datën për fillimin e bisedimeve me BE-në. Në fund të majit fillojnë ethet e qershorit, ku vendet ndodhen përballë spekulimeve, ideve të ndryshme që plasohen në opinion, me çka ndikon që qytetarët e dyja vendeve janë skeptikë dhe të hutuar.

Se a do ta heq Bullgaria veton deri në fund të qershorit mbetet një enigmë që ende nuk po dihet, në kulmin e marrëdhënieve të mira u kapën njerëz të punësuar nëpër institucione të të dyja vendeve që punonin kundër arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare. Kjo flet që një marrëveshje e tillë e cila do të hapte rrugën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE i pengon ndokujt prandaj edhe janë të angazhuar të pengojnë një skenarë të tillë.

Por, sërish është interesi strategjik i pashmangshëm dhe shpëtim i vetëm për zhvillim që nuk lejon dorëzimin e shteteve edhe krahas gjitha barrierave. Megjithatë, tani më është koha kur besimi i qytetarëve vetëm se ka filluar të ulet për sa i përket pritjeve të gjata e pa afat për një anëtarësim në BE, tani duhet të veprohet me vigjilencë e të mos humbet një mundësi kur pritjet janë në nivel dhe asesi nuk duhet të vijë një kohë kur qytetarët do të dëshprohen pafundësisht e as që do të shpresojnë e besojnë më në vlerat e Bashkimit Evropian.

Parlamenti i Evropian i bëri thirrje Këshillit Evropian të nisë sa më parë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut bisedimet e anëtarësimit në BE. Në një njoftim për shtyp të Parlamentit të BE-së bëhet me dije që në seancë plenare europarlamentarët miratuan raportin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut lidhur me progresin e tyre drejt anëtarësimit në BE.” Anëtarët e Parlamentit Evropian nxitën gjithashtu Bullgarinë dhe MV të zgjidhin mosmarrëveshjen historiko – kulturore mes tyre pa e lidhur atë me procesin e anëtarësimit të MV në BE.

Nga ana tjetër kur flitet për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, kancelari gjerman Olaf Scholz, e ka cilësuar si veprim të padrejtë kundrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor sipas tij ka vite që lëta shtete bëjnë përpjekje maksimale për anëtarësim në BE.

“Për vite me radhë, ata po ndërmarrin reforma intensive dhe po përgatiten për anëtarësim. Nuk është vetëm çështja e besueshmërisë sonë që ne t’i mbajmë premtimet e dhëna për ta. Sot më shumë se kurrë, integrimi i tyre është po ashtu interesi ynë strategjik”, tha kancelari gjerman.

Bllokada e Bullgarisë nuk është pengesa e vetme për Maqedoninë e Veriut për mos marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në. Presidenti i rizgjedhur në Francë, Emmanuel Macron, ka dalë me një propozim të ri për sa i përket shteteve jo anëtare të BE-së për krijimin e një organizate të re politike, me çka shtetet e interesuar jashtë bllokut të presin në këtë “korridor”, dhe kjo pritje do të jetë me afat të pa skaduar. Kjo sinjalizon se plani i zgjerimit të BE-së po vështirësohet sidomos kur është fjala për inkuadrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Ndërkaq, analisti maqedonas Blagojçe Atanasoski, ka thënë se vetoja bullgare nuk është e rastësishme që po zvarritet e nuk po hiqet sipas tij është mjet i BE-së për mos zgjerim.

 “Besoj se vetoja bullgare është vetëm mjet i vendeve të Bashkimit Evropian për të bllokuar vendet e Ballkanit”, tha analisti në “Click Plus” në TV21.

Mes tjerash kjo krijon edhe huti më të madhe për sa i përket çështjes së vetos bullgare se a do të hiqet deri në fund të qershorit ku do të mbahet samiti dhe do të vendoset përfundimisht nëse Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të marrin datë për fillim të negociatave.

Ai mes tjerash shton se ka interesa të ndryshme në Bashkimin Evropian.

“Unë dyshoj se vetoja bullgare është e drejtë… Bullgaria është vetëm një grusht në duart e shumë vendeve më të fuqishme dhe me ndikim në Bashkimin Evropian, të cilët nuk duan të thonë thjesht se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të papërgatitur për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, kështu që tani Bullgaria është një instrument që do të “bllokojë perspektivat tona evropiane dhe negociatat me BE”, tha Atanasoski.

Edhe përkundër kësaj Komisari i BE-së për Zgjerim dhe fqinjësi të mirë Oliver Varhej, pas takimit në Bullgari me presidenit Radev, kryeministrin Petkov, dhe ministren e Jashtme Gençovska, pret që brenda tre javëve të ketë sinjal pozitiv për heqjen e vetos.

Komisari i BE-së Varhej në Tuiter shkroi që së shpejti do të kthehet në Sofje për të gjetur zgjidhjen e përbashkët të pranueshme për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

“Takimi intensiv me ministren Teodora Gençovska në Sofje. Bisedat për pasoja të drejtpërdrejta nga lufta në Ukrainë për Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Punojmë në zgjidhje të përbashkët të pranueshme që të mund të fillojmë negociata me RMV-në dhe Shqipërinë me mbajtjen e konferencën ndërqeveritare në qershor. E vlerësojë dialogun e hapur me presidentin bullgar Rumen Radev. Vlefshmëria që të kemi Ballkan Perëndimor të qëndrueshem dhe prosporues nuk ka çmim. Në këtë kontekst, kontribut i jashtëzakonshëm do të ishte mbajta e konferencës së përbashkët ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Duhet të punojmë së bashku në këtë. Për tre javë do të kthehem në Sofje për të gjetur bazë të përbashkët dhe mbështetje nga Bullgari, për të filluar procesin negociues me RMV-në në qershor”, shkroi Varheji.

Kujtojmë se pengesë për mos marrjen e datës për fillim të negociatave Maqedonia e Veriut me BE-në njëherë ka qenë Franca, e pastaj Bullgaria, e cila ka vendosur dy herë veto. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë shtete bllok që duhet të marrin datën në të njëjtën kohë. Pritet që me normalizimin e marrëdhënieve me shtetin fqinj Bullgarinë dhe zgjidhjen e konteksteve historike, kjo e fundit do t’i hap rrugë Maqedonisë së Veriut për fillim të negociatave me BE-në.

Franca kundërshtoi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në vitin 2019. Macron tha atëbotë se këto shtete duhej të bënin ende progres. Po ashtu Franca prej vitesh e kundërshton edhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, ndonëse janë plotësuar të gjitha kriteret që BE-ja i kishte vënë në udhërrëfyes./Zhurnal.mk

Related posts

Kovaçevski: Tre muajt ardhshëm ka gjasa paga minimale të rritet në 20,000 denarë

Gazetamax.mk

Jakimovski: Shumicës i duhen vetëm edhe dy deputetë për ndryshimet kushtetuese

Gazetamax.mk

Gazetari Nevrij Ademi shpalos lajmin e madh bëhet pjesë e medias më të re në vend SYRI.MK

Gazetamax.mk