GazetaMax
Lajme

Mariçiq: Jemi duke e përgatitur Doganën për hyrje në Unionin Doganor Europian

Shkup, 20 tetor – Në Bruksel vazhdojnë takimet shpjeguese nga Klasteri 3, “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, dhe në rendin e ditës së sotme ishte kapitulli 29, “Unioni Doganor”.

Zëvendëskryeministri i ngarkuar për Çështje Evropiane dhe kryenegociatori me Bashkimin Evropian, Bojan Mariçiq, në fjalimin e tij hyrës, e theksoi rëndësinë e integrimit në Unionin Doganor Evropian për Qeverinë, si dhe për kompanitë dhe qytetarët, ndërsa e ka potencuar edhe nivelin e mirë të gatishmërisë së Maqedonisë së Veriut në këtë fushë.

“Në vitet e kaluara, ne kemi punuar në harmonizimin e legjislacionit tonë me atë evropian, por edhe për të forcuar kapacitetet operative dhe teknike të Drejtorisë Doganore. Jemi të kënaqur që raporti i fundit i Komisionit Evropian e njeh këtë dhe se vullneti politik dhe përkushtimi për realizimin e agjendës së reformave po jep rezultate”, deklaroi zëvendëskryeministri Mariçiq.

Si një hap revolucionar përpara në punët doganore dhe një nga arritjet më të mëdha të Drejtorisë Doganore, njoftojnë nga Zyra e zëvendëskryeministrit, Mariçiq e ka potencuar digjitalizimin e operacioneve doganore dhe funksionimin plotësisht elektronik të administratës, pra zbatimin e sistemit të ri të deklaratave doganore dhe përpunimit të akcizës, i cili është plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare të shkëmbimit të të dhënave dhe rregullat e BE-së të përcaktuara në këtë fushë.

Në takimin skrining shpjegues mori pjesë edhe drejtoresha e Drejtorisë Doganore, Sllavica Kutirov, së bashku me përfaqësues nga ky institucion. Ajo u shpreh në takim se është nder që mund të kontribuoj, por në të njëjtën kohë janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë në këtë proces kompleks dhe të rëndësishëm për të gjithë ne.

“Në dekadën e fundit, Drejtoria Doganore i është përkushtuar plotësisht respektimit të rregullave dhe procedurave të Unionit Doganor të BE-së, dhe plani ynë i ri i Veprimit për zhvillim përfshin aktivitete dhe projekte që përputhen me rekomandimet e Raportit më të fundit të Progresit të BE-së, dhe përfshijnë harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit doganor, përmirësimin e standardeve të integritetit, luftën kundër korrupsionit, si dhe projekte për digjitalizim të mëtejshëm në përputhje me Planin Strategjik Shumëvjeçar të BE-së – MASP”, theksoi drejtoresha Sllavica Kutirov.

Lidhur me legjislacionin doganor, zëvendëskryeministri Mariçiq informoi se po punohet për harmonizimin e plotë të kodit të ri Doganor me Kodin e ri Doganor të BE-së dhe se Administrata doganore e ka miratuar Strategjinë e re për zhvillimin e TIK-ut të vitit 2021-2025 dhe planin e Veprimit për ndërlidhjen dhe ndërveprueshmërinë me sistemet e BE-së.

Sa i përket lehtësimit të tregtisë, zëvendëskryeministri theksoi se koncepti i operatorit ekonomik të autorizuar është zbatuar, ku 23 kompani e kanë marrë statusin e operatorit të autorizuar ekonomik, dhe ka përmendur edhe terminalet doganore të sapondërtuara në pikat kryesore kufitare me Serbinë dhe Shqipërinë, konceptin “ONE STOP SHOP”.

Nga zyra e zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane bëri të ditur se sot janë mbajtur dy takime shpjeguese për kapitujt 20 dhe 29, konkretisht “Ndërmarrjet dhe Politika Industriale” dhe “Bashkimi Doganor”, të cilat janë pjesë e Klasterit 3.

Takimet dypalëshe për kapitullin 20, njoftuan ata, do të mbahen më 31 maj dhe 1 qershor të vitit 2023, ndërsa për kapitullin 29, më 7 dhe 8 qershor të vitit të ardhshëm.

Nesër përfundon procesi i shqyrtimit shpjegues për Klasterin 3 me takimet e Kapitullit 16 “Tatimimi” dhe Kapitulli 25 “Shkencë dhe Hulumtime”.

Related posts

Panovski: Virusi “Kraken” nuk është më i rrezikshëm se llojet tjera të Covid

Gazetamax.mk

Grubi për KosovaPress: Serbia nuk ka zgjidhje tjetër përveç njohjes së pavarësisë së Kosovës

Gazetamax.mk

Mjegulla e vështirëson trafikun ajror, një pjesë e fluturimeve vonohen dhe anulohen

Gazetamax.mk