Marta Kos flet për integrimin në Tiranë: Rezultatet konkrete në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndër testet më vendimtare

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë mbledhjes së Këshillit të Integrimit Evropian, ku ishte e pranishme, foli për sfidat e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vëmendja e Brukselit do të përqendrohet te rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kos nënvizoi se një nga testet më vendimtare për Shqipërinë do të jetë zbatimi i reformave, duke theksuar se nuk do të mjaftojnë vetëm deklaratat dhe angazhimet politike.

“Rezultatet konkrete të Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përafrimi me ligjet e BE-së për mjedisin, do të jenë ndër testet më vendimtare. Fokusi do të jetë te zbatimi, te veprimet dhe jo thjesht te fjalët”, deklaroi komisionerja.

Një vëmendje të veçantë ajo i kushtoi edhe funksionimit të shtetit të së drejtës dhe mënyrës se si institucionet shqiptare reagojnë ndaj hetimeve që përfshijnë zyrtarë të lartë.

“Në shtetin e së drejtës do të shohim se si autoritetet reagojnë ndaj hetimeve, përfshirë rastet kur ato kanë të bëjnë me vendosjen para përgjegjësisë të personave në pozita të larta pushteti. Pikërisht aty do të shihet nëse institucionet janë vërtet të pavarura dhe nëse institucionet po ndryshojnë realisht”, u shpreh Marta Kos.

Komisionerja theksoi se Shqipëria i ka mundësitë për të avancuar drejt anëtarësimit, por nënvizoi se nevojitet vullnet dhe angazhim për të përmbushur reformat gjatë vitit të ardhshëm.

“Shqipëria i ka mundësitë t’ia dalë mbanë dhe një vullnet i tillë do të duhet gjatë vitit që vjen”, deklaroi ajo.

Gjatë fjalës së saj, Kos u ndal edhe te mbështetja e qytetarëve shqiptarë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke theksuar se ajo është ndër më të lartat mes vendeve kandidate.

“Shumica dërrmuese e shqiptarëve, pra qytetarët, e mbështesin anëtarësimin në BE. Mbështetja është më e larta në të gjitha vendet kandidate. Kjo ju jep mandatin për të ndërmarrë reformat e nevojshme”, tha komisionerja.

Ajo shtoi se për të ruajtur këtë mbështetje, është e rëndësishme që qytetarët të jenë pjesë aktive e procesit të integrimit.

“Për të ruajtur këtë mbështetje është e rëndësishme që qytetarët të përfshihen në këtë proces. Zbatimi i ligjeve është i rëndësishëm dhe Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian, pra ju, keni një rëndësi të veçantë”, përfundoi Marta Kos.

Burimi:botasot.info