Parlamenti Evropian (PE) miratoi një rezolutë për Vukovarin, me të cilën nderohen viktimat e krimeve të kryera në këtë qytet. Me këtë rezolutë, Serbisë i bëhet thirrje që të mundësojë qasjen në arkivat përkatëse të luftës dhe të publikojë të gjitha informacionet e disponueshme për lokacionet e varrezave individuale dhe masive.
Rezoluta u iniciua nga eurodeputetë kroatë të grupeve të ndryshme politike në PE.
Në tekstin e rezolutës thuhet se Vukovari është një kujtesë dhe se parimi “kurrë më” nuk mund të merret si i mirëqenë. Ky parim buron nga shkatërrimet e Luftës së Dytë Botërore dhe është në thelb të projektit evropian.
Tragjedia e Vukovarit, siç thuhet më tej, zbuloi se sa e brishtë është paqja në Evropë dhe cilat janë pasojat kur ajo nuk mbrohet me kohë.
PE-ja thekson se pranimi i krimeve, respektimi i viktimave dhe përcaktimi i fatit të personave të zhdukur janë thelbësore për pajtimin e qëndrueshëm dhe për drejtësi për të gjitha viktimat e luftërave të zhvilluara pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Me këtë rezolutë, PE-ja dënon ashpër mohimin, minimizimin ose madhërimin e krimeve të luftës, përfshirë nderimin publik të kriminelëve të dënuar të luftës. Në veçanti, dënon nderimet që iu bënë Ratko Mlladiqit gjatë varrimit të tij në Beograd, më 7 shtator 2026. Mlladiqi ishte dënuar me vendim të formës së prerë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Rezoluta u miratua në 35-vjetorin e rënies së Vukovarit. Mbrojtja e forcave kroate në këtë qytet u thye më 18 nëntor 1991, pas 87 ditësh luftimesh të ashpra dhe shkatërrimesh.
Kontrollin mbi Vukovarin e morën Ushtria Popullore Jugosllave (JNA) e asaj kohe dhe njësitë paramilitare. Pasi hynë në qytetin pothuajse tërësisht të shkatërruar, pasoi dëbimi i popullsisë, dërgimi i të burgosurve në kampe dhe krime të rënda lufte. Ndër to ishte edhe masakra në Ovçara, ku u vranë rreth 260 persona, kryesisht të plagosur, të sëmurë dhe civilë të dërguar nga spitali i Vukovarit.
Lëvizja Studentore kundër rezolutës
Pas publikimit të draft-rezolutës, Lëvizja Studentore në Serbi njoftoi se nuk pajtohet me përmbajtjen e tekstit. Sipas vlerësimit të kësaj lëvizjeje, dokumenti nuk kontribuon në pasqyrimin objektiv të ngjarjeve historike, as në pajtimin mes popujve të ish-Jugosllavisë.
Në njoftimin e publikuar në rrjetin X, thuhet se me propozimin e rezolutës pothuajse plotësisht janë shpërfillur vuajtjet e popullsisë civile serbe në Kroaci, përfshirë vrasjet, dëbimet, shkatërrimin e pronës dhe eksodin masiv.
Aty thuhet po ashtu se nga pasqyrimi i kësaj periudhe nuk mund të përjashtohen ngjarje si operacionet “Bljesak” dhe “Oluja”, si dhe krimet ndaj civilëve serbë.
Nga Lista Studentore – që fitojë zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Serbi në tetor – konsiderojnë se “përgjegjësia për krimet e luftës duhet të jetë individuale dhe të përcaktohet në bazë të provave dhe vendimeve gjyqësore të formës së prerë, e jo t’u atribuohet popujve të tërë”.
Nga kjo listë theksojnë se pajtimi i vërtetë është i mundur vetëm përmes përballjes së sinqertë me të gjitha krimet, pavarësisht se kush i ka kryer dhe ndaj kujt janë kryer. Kjo listë vlerëson se propozimi i rezolutës në formën aktuale nuk kontribuon në një kulturë të ekuilibruar të kujtesës dhe nuk i përfshin në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe objektive vuajtjet e të gjithë popujve gjatë luftërave të viteve ’90.
Burimi:botasot.info
