WhatsApp ka fshirë mbi 6,8 milionë llogari mashtruese në gjysmën e parë të vitit, ka deklaruar kompania mëmë, Meta. Shumë prej tyre lidheshin me qendrat e mashtrimit të drejtuara nga kriminelë të organizuar në Azinë Juglindore që shpesh përdornin punën e detyruar në veprimtarinë e tyre, thotë kompania. Ky njoftim vjen pasi WhatsApp nxori masa të reja kundra mashtrimit për të njoftuar përdoruesit për veprimtari të mundshme mashtruese si një përdorues që shtohet në një grup bisede nga dikush që nuk është në listën e kontakteve. Fshirja shënjestron një taktikë të zakonshme të kriminelëve që hyjnë në llogari WhatsApp-i për të shtuar përdorues në bisedat në grup që promovojnë skema të rreme investimesh dhe mashtrime të tjera.
Meta tha se WhatsApp “i zbuloi në mënyrë proaktive dhe i fshiu llogaritë para se qendrat e mashtrimit të mund të operonin”.
Në një rast, WhatsApp bashkëpunoi me Meta dhe OpenAI për të prishur mashtrimin e një grupi kriminal kamboxhian që ofronte para për pëlqime në rrjetet sociale për të promovuar një skemë të rremë piramidale për qiramarrjen e një monopatine. Mashtruesit kishin përdorur ChatGPT për të krijuar udhëzimet që u jepeshin viktimave. Zakonisht ata i kontaktonin përmes një mesazhi para se biseda të kalonte në rrjete sociale apo aplikacione të tjera mesazhesh. Mashtrimet përmbylleshin me pagesa ose platforma kriptomonedhash. “Ka gjithmonë një kleçkë dhe duhet të jetë sinjal i kuq për të gjithë: duhet të paguani paraprakisht për të marrë fitimet e premtuara”, tha Meta.
Qendrat e mashtrimit që u zhvatin njerëzve miliona dollarë operojnë nga vende si Mianmari, Kamboxhia dhe Tajlanda. Ato rekrutojnë njerëz që detyrohen të kryejnë mashtrimet. Autoritetet i kanë këshilluar njerëzit të jenë të kujdesshëm ndaj mashtrimeve të mundshme dhe të përdorin masa si verifikimi i dyfishtë në WhatsApp për të mbrojtur llogarinë e tyre dhe të jenë të vëmendshëm ndaj mesazheve të çuditshme.