Mbeturinat para shkollave dhe kopshteve në Tetovë ngrenë shqetësim, drejtori i NPK-së Samet Bislimi: Grumbullimi falas nga dera e secilës shtëpi dhe objekt

Jepet zgjidhje konkrete për mbeturinat e vëllimshme në Tetovë – drejtori i NPK-së u bën thirrje qytetarëve ta shfrytëzojnë shërbimin falas për një qytet më të pastër.

Grumbullimi i rregullt i mbeturinave dhe ruajtja e pastërtisë publike mbeten ndër sfidat kryesore në Tetovë, veçanërisht në zonat pranë çerdheve dhe shkollave, ku grumbullimi i kontejnerëve dhe hedhja e mbeturinave të vëllimshme krijojnë probleme për mjedisin dhe qytetarët.

Përballë kësaj situate, drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) në Tetovë, Samet Bislimi, thekson se qytetarët kanë në dispozicion një zgjidhje konkrete dhe pa pagesë për largimin e mbeturinave të vëllimshme nga shtëpitë e tyre.

“Ekipi shkon deri te dera e çdo qytetari dhe ia merr mbeturinat e vëllimshme, pa pagesë. Këtë shërbim e kemi organizuar që ta kemi qytetin më të pastër dhe qytetarët të kenë një zgjidhje se ku mund t’i hedhin këto mbeturina”, deklaroi Bislimi.

Shërbimi u mundëson qytetarëve të largojnë mobiliet e vjetra dhe sendet e tjera të mëdha pa pasur nevojë t’i lënë pranë kontejnerëve, në trotuare apo në hapësira publike, ku shpesh krijohen deponi të vogla ilegale.

Nga kompania Saubermacher Tetovë, përgjegjëse për zbrazjen e kontejnerëve dhe transportimin e mbeturinave drejt deponisë rajonale, thonë se ekipet e tyre po bëjnë përpjekje që grumbullimi i mbeturinave të kryhet rregullisht, madje edhe më shumë se një herë në ditë, aty ku paraqitet nevoja.

Sipas të dhënave të kompanisë, nga janari deri në shtator të këtij viti janë grumbulluar dhe transportuar mbi 25.000 tonë mbeturina komunale, si dhe afro 2.900 tonë mbeturina të vëllimshme. Gjatë kësaj periudhe, automjetet e kompanisë kanë përshkuar rreth 225.000 kilometra.

Vulnet Sela nga Saubermacher Tetovë theksoi se këto shifra dëshmojnë përmasat e punës së përditshme që nevojitet për të siguruar grumbullimin e mbeturinave në të gjithë territorin e Komunës së Tetovës.

Thirrje për përgjegjësi qytetare: mbeturinat e mëdha të mos lihen pranë kontejnerëve

Një nga problemet që rëndon pastërtinë e qytetit është hedhja e pakontrolluar e mbeturinave të vëllimshme, përfshirë mbetjet ndërtimore, mobiliet e vjetra dhe sendet e mëdha plastike, të cilat shpesh lihen pranë kontejnerëve ose drejtpërdrejt në tokë.

Kjo praktikë jo vetëm që krijon pamje të papastër, por kontribuon edhe në formimin e deponive të vogla në hapësira publike.

Nga NPK-ja e Tetovës u bëjnë thirrje qytetarëve që, në vend se t’i hedhin këto mbeturina në mënyrë të pakontrolluar, të kontaktojnë ndërmarrjen dhe të kërkojnë shërbimin falas të grumbullimit. Si alternativë, mbeturinat e vëllimshme mund të dërgohen edhe në qendrën grumbulluese të Saubermacher-it.

Ndërkohë, disa çerdhe dhe shkolla kanë kërkuar që kontejnerët pranë objekteve të tyre të zhvendosen në lokacione më të përshtatshme. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, ndërmarrjeve publike dhe qytetarëve.

Nën drejtimin e Samet Bislimit, NPK-ja e Tetovës u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë shërbimin falas për grumbullimin e mbeturinave të vëllimshme, duke kontribuar kështu në parandalimin e deponive ilegale dhe në krijimin e një ambienti më të pastër për të gjithë.