Agjencia e Azilit të BE-së (EUAA) njoftoi sot se mbi 100 mijë kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare të dërguara nga sirianët në mërgim në BE janë duke u shqyrtuar në 27 shtete anëtare.
Në fund të tetorit janë regjistruar pak më shumë se 108.200 kërkesa në pritje për vendimin e parë dhe përveç kësaj, bëhet e ditur se kërkesat e refuzuara mund të ankimohen, tha i njëjti burim.
Këto të dhëna u publikuan në një kohë kur Gjermania, Italia, Suedia dhe Belgjika, njoftuan se po pezullonin shqyrtimin e kërkesave për azil nga sirianët pas rënies së Bashar al-Assad.
Qe nga fillimi i luftës në Siri, mbi gjysma e popullsisë është larguar nga vendi ose 13 milionë njerëz, sipas UNHCR. Turqia, Libani, Jordania, Egjipti pranuan shumicën e gjashtë milionë refugjatëve sirianë, por shumë prej tyre u larguan në Evropë.
Gjermania ka pothuajse 800 mijë refugjatë sirianë, ndërsa Suedia është në vendin e dytë.
Belgjika thotë se rreth 35 mijë sirianëve u është dhënë mbrojtje në tokën e saj gjatë dekadës së fundit. Franca numëronte 45.600 refugjatë sirianë në vitin 2024. Të dy vendet thanë se po trajtonin rreth 4.500 kërkesa të reja për azil nga sirianë qe nga fillimi i këtij viti.
Burimi: botasot.info