Zgjedhjet parlamentare në Serbi, të mbajtura më 25 tetor, kanë rikthyer në vëmendje çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Kjo praktikë, e cila sipas përfaqësuesve shqiptarë ka ndikuar në fshirjen e mijëra qytetarëve nga regjistrat dhe në cenimin e së drejtës së tyre për të votuar, po ngre shqetësime për përfaqësimin politik të shqiptarëve. Në këto zgjedhje, “Koalicioni Shqiptar” siguroi dy mandate në Parlamentin e Serbisë, të cilat do t’i marrin Shaip Kamberi dhe Visar Mehmeti.
Pikërisht për përgjegjësinë e deputetëve të rinj në adresimin e kësaj çështjeje ka folur edhe veprimtari Refik Hasani.
Hasani në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se unifikimi i shqiptarëve për të garuar me një listë të përbashkët përmes “Koalicionit Shqiptar”, si dhe zgjedhjet për Parlamentin e Serbisë, të mbajtura më 25 tetor, përbëjnë një zhvillim të rëndësishëm.
Megjithatë, sipas tij, rezultati përfundimtar i shpallur nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve, ndonëse konkret, nuk ishte ai që pritej.
“U arrit ky rezultat pasi u siguruan dy ulëse, përkatësisht dy mandate deputetësh, në legjislaturën e re të Parlamentit të Serbisë”, ka thënë Hasani.
Ai ka theksuar se në këtë proces nuk duhet të anashkalohet çështja e pasivizimit të adresave, pasi, sipas tij, përmes kësaj praktike shqiptarëve po u mohohen edhe të drejtat zgjedhore.
“Ajo që do të duhej të shpërfaqej në këtë trajtim është se pasivizimi i adresave, përmes ushtrimit shtetëror sistematik, përbën një formë të spastrimit etnik dhe diskriminimit, ku janë hequr votuesit me të drejtë vote edhe nga regjistrat e votuesve”, ka deklaruar ai.
Gjithashtu, Hasani ka vlerësuar se si pasojë e fshirjes së adresave janë krijuar pasoja të rënda administrative, demografike dhe politike për shqiptarët etnikë dhe autoktonë në Serbi.
Sipas tij, kjo praktikë ka ndikuar edhe në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, pasi numri i votuesve shqiptarë është zvogëluar.
“Edhe në zgjedhjet parlamentare në Serbi, të mbajtura më 25 tetor, pati ndikim të drejtpërdrejtë, pasi së paku dy deputetë nuk arritën të merrnin votat e nevojshme. Kjo, pasi të gjithë shqiptarët e pasivizuar janë hequr nga regjistrat e votuesve, pra kemi më pak votues me të drejtë vote”, ka theksuar Hasani.
Tutjem, ai ka shtuar se përmes pasivizimit të adresave po ndërmerren veprime administrative sistematike, të cilat, sipas tij, po tjetërsojnë strukturën demografike dhe elektorale në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
“Mbi 25 mijë qytetarë shqiptarë kanë adresa të pasivizuara”
Hasani ka ngritur shqetësimin edhe për përmasat e kësaj dukurie, duke pretenduar se një numër i madh i shqiptarëve në këto tri komuna janë prekur nga pasivizimi.
“Mendohet se çdo i katërti shqiptar, si shtetas i Serbisë, që i përket nacionalitetit shqiptar nga Komuna e Preshevës, Medvegjës dhe Komuna e Bujanocit, është i pasivizuar. E shprehur në numër, bëhet fjalë për mbi 25 mijë qytetarë shqiptarë, të cilëve u janë pasivizuar adresat”, ka deklaruar ai.
Sipas Hasanit, kjo praktikë po kontribuon në dobësimin demografik, politik dhe institucional të shqiptarëve, duke i privuar ata nga mundësia e pjesëmarrjes në jetën publike dhe politike.
Ai ka përmendur edhe Ligjin mbi vendbanimin dhe vendqëndrimin, të publikuar në “Gazetën Zyrtare të RS”, nr. 87/2011, për të cilin ka thënë se po zbatohet në mënyrë selektive dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve etnikë dhe autoktonë në Serbi.
Thirrje deputetëve shqiptarë për veprime urgjente
Duke folur për rolin e dy deputetëve shqiptarë të “Koalicionit Shqiptar” në Parlamentin e Serbisë, Hasani ka thënë se ata duhet ta vendosin çështjen e pasivizimit ndër prioritetet e para të mandatit të tyre.
“Dy deputetët shqiptarë nga ‘Koalicioni Shqiptar’, në Parlamentin e Serbisë, është domosdoshmëri e kohës që, me prioritete, të adresojnë pyetje parlamentare me shkrim, që në seancat e para të kësaj legjislature, në formën e interpelancës, për të kërkuar sqarime, informacione apo llogaridhënie, drejtuar ministrisë përkatëse dhe kryeministrit”, ka deklaruar Hasani.
Ai ka kërkuar që përmes mekanizmave parlamentarë të sigurohet një pasqyrë e saktë e numrit të personave të pasivizuar në të gjithë Serbinë, si dhe të bëhen krahasime me nacionalitetet e tjera jo shqiptare në komunat e këtij shteti.
Hasani ka theksuar se deputetët shqiptarë kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve që i kanë votuar dhe duhet të ndërmarrin hapa konkretë për këtë çështje.
“Deputetët shqiptarë kanë obligim nga votuesit që të ngrenë alarmin, duke njoftuar e sinjalizuar, dhe do të duhej të ndërmerrnin veprime emergjente, duke kërkuar, insistuar dhe këmbëngulur edhe në ngritjen e një Komisioni të ngarkuar për hetimin e pasivizimit”, ka thënë ai.
Ai ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të këtyre praktikave, hetime të pavarura dhe transparente, publikimin e numrit të saktë të personave të pasivizuar dhe kthimin e adresave të shqiptarëve.
“Qeveria e re duhet të ndalë praktikat diskriminuese”
Hasani ka theksuar se përgjegjësi për këtë çështje ka edhe Qeveria e re e Republikës së Serbisë, e cila, sipas tij, duhet të garantojë zbatimin e barabartë të procedurave administrative për të gjithë qytetarët, pa dallim etnik.
“Qeveria e re e Republikës së Serbisë duhet të sigurojë që të gjitha procedurat administrative të jenë transparente, të kontrollueshme dhe të zbatohen njësoj ndaj të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se pushteti i ri duhet të reflektojë dhe të ndryshojë narrativën dhe diskursin e ndjekur nga pushteti i Aleksandër Vuçiqit.
Sipas Hasanit, pasivizimi duhet t’i nënshtrohet një kontrolli të plotë dhe të paanshëm, duke përfshirë ligjshmërinë, proporcionalitetin, transparencën, monitorimin ndërkombëtar dhe mosdiskriminimin.
Në fund, ai ka vlerësuar se zhvillimet politike në Serbi dhe lëvizja studentore mund të krijojnë mundësi për ndryshime në raport me shqiptarët.
“Lista studentore drejt pushtetit në Serbi mund të konsiderohet shpresë për ndaljen e diskriminimit ndaj shqiptarëve dhe demokratizimin e vetë Serbisë”, ka përfunduar Hasani.
Burimi: botasot.info
