Një 24-vjeçar është arrestuar nga Policia në Tiranë, pasi ka përndjekur dhe kërcënuar, nëpërmjet profileve të falsifikuara në rrjete sociale një person tjetër. Policia bën me dije se 24-vjeçari me iniciale K.G., e kërcënonte personin në fjalë, me qëllim për t’i marrë një shumë parash.
Pas marrjes së njoftimit, “blutë” kanë arrestuar në flagrancë të riun në momentin e marrjes së shumës monetare.
Ndërsa si provë materiale, u sekuestruan një shumë parash dhe 2 aparate celularë, ndërsa vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.
Njoftimi i policisë:
Përndoqi dhe kanosi një shtetas, nëpërmjet profileve të falsifikuara në rrjete sociale, me qëllim për t’i marrë një shumë parash, arrestohet në flagrancë 24-vjeçari.
Pas marrjes njoftim se një shtetas, në mënyrë të përsëritur, përndiqte dhe kanoste nëpërmjet platformave virtuale një shtetas, duke i kërkuar një shumë parash, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Accountet”.
Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi K. G., 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap në flagrancë në momentin e marrjes së shumës monetare.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, duke përdorur profile të falsifikuara në platformat virtuale, ka përndjekur dhe kanosur shtetasin D. P., duke e shtrënguar për t’i dhënë një shumë parash.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash dhe 2 aparate celularë.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Përndjekja”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.
