GazetaMax
Lajme

Me lista të ndara apo të përbashkëta, me anketa apo me frymë

I. Në mbledhjet e fundit të VLENit është debatuar gjerë e gjatë lidhur me zgjedhjet e ardhshme komunale. Ndër temat më esenciale për koalicionin ka qenë ajo se a të dilet me lista të veçuara apo të përbashkëta për këshilltarë komunalë. ASH ka insistuar që të dilet me lista të veçuara, gjë që për të gjithë subjektet e tjerë brenda VLENit ka qenë krejtësisht e papranueshme. Argumentet për të shkuar me lista të ndara janë jopolitike (për të mos thënë antipolitike) dhe kundërproduktive.

Insistimi për lista të ndara është të kërkosh sebeb për t’u ndarë, jo për t’u bashkuar. Argumenti se me lista të ndara do të maten forcat brenda koalicionit është i pakuptimtë. VLENi duhet t’i masë forcat vetëm me BDI-në. Çfarë do të kishte fituar, ta zëmë, LD-ja e Mexhitit nëse do të kish dalë më e fuqishme se Lëvizja Besa, pra nëse do të kish marrë 8 këshilltarë më shumë? Mbase dy drejtori më shumë në ekzekutiv?! Apo 23 punësime më shumë në shëndetësi?!!
Sidoqoftë, shkuarja me lista të ndara për këshilltarë komunalë, përveçse do të dobësonte keqas koalicionin VLEN, do të përçante edhe votën shqiptare. Katër partitë e VLENit, veç e veç, ende janë të vogla në raport me BDI-në. Vetëm unifikimi i tyre, bashkë me faktorin VV, i bën të konkurueshëm dhe të fuqishëm për të triumfuar në zgjedhjet e radhës.
Argumentet e tjera teknike dhe politike se pse është më racionale dhe më produktive të dilet me lista të përbashkëta për këshilltarë komunalë, të cilat i kemi shpalosur gjatë diskutimeve tona në mbledhjet e VLENit janë këto si më poshtë:

1. Përmes votës për lista për këshilltarë ne matemi se kush i fiton zgjedhjet në raport me BDI-në. Beteja jonë politike është ajo me BDI-në dhe kurrsesi ajo brenda nesh;
2. Me lista të ndara, për shkak të modelit zgjedhor, ku favorizohet i pari, do të humbim shumë këshilltarë dhe ia rrisim votën BDI-së. Sistemi i D’Hondtit favorizon paritë e mëdha dhe ndëshkon ato të voglat. Do të thotë se është irracionale të dilet me lista të ndara kur je parti e vogël. Argumenti se me lista të ndara do të mobilizoheshin më shumë njerëz bie poshtë, sepse çdo mobilizim që nuk sintetizohet me këtë sistem zgjedhor nuk është aspak produktiv;
3. Listat e ndara janë krisje në VLEN, që shpie në ndarje ose përçarje. Koalicioni VLEN është bashkim politik. Këto koalicione i mban bashkë fryma dhe kauza që nuk përkthehen kurrë në numra dhe kalkulime meskine;
4. Me lista të ndara duhet të ketë katër shtabe, nga të cilat vetëm njëri shtab e ka kandidatin për kryetar – kjo e hendikepon dhe dëmton kandidatin për kryetar;
5. Katër lista të të njëjtit koalicion fut grindje të brendshme dhe largon përqendrimin nga beteja e vërtetë, ajo kundër BDI-së;
6. Fushata e kandidatit për kryetar do të jetë konfuze, e çoroditur, e vështirë sepse atij do t’i duhej të bëjë fushatë paralelisht edhe listën e këshilltarëve të partisë së tij. Kjo do të irritonte anëtarët e partive të tjera të cilët me gjasë do ta bojkotonin kandidatin dhe do të përqendroheshin vetëm për suksesin e listës së tyre për këshilltarë;
7. Listat e ndara do të krijojnë sabotim partiak, ngase strukturat e partive që nuk e kanë kandidatin do të vrapojnë për këshilltarë dhe nuk do të luftojnë për kandidatin.
8. Listat e përbashkëta mund të bëhen duke i përfshirë të gjithë kandidatët për këshilltarë në marrëveshjen për pushtetndarjen lokale, pavarësisht a fitojnë ose jo.
9. Me lista të ndara e humbim votën që ka ardhur për koalicionin VLEN dhe që nuk është e lidhur me asnjë parti, që mund të jetë nga 20 mijë deri në 35 mijë vota.
10. Krijohet tension në struktura dhe votues – për shkak të oponencës politike;
11. Listat për këshilltarë është pjesa më politike e zgjedhjeve komunale. Nëse VLEN del me lista të ndara, kjo lë hapësirë për pazare dhe degjeneron elementin politik;
12. Është e pamundur që të lobohet për kandidat të përbashkët për kryetar dhe në anën tjetër për listë të ndarë. Edhe teknikisht është e vështirë, sepse votuesi duhet të mbajë mend disa numra (në Shkup ka plus dy fletëvotime);
13. Ky është gabimi politik, sepse në vend të fuzionimit, kemi ndarje. Kështu i bëjmë shërbim BDI-së, që e dëshiron një VLEN të ndarë. Pa spekuluar për komplote, listat e ndara çojnë ujin në mullirin e BDI-së;
14. Barrën e përpilimit të listave të përbashkëta duhet ta marrë lidershipi, sepse të gjithë e dimë se fitorja që është bërë, ka ardhur se kemi qenë bashkë dhe uniteti ka çmim;
15. Në këto zgjedhje është beteja finale VLEN-BDI dhe të ndarë, ne rrezikojmë të humbim;
16. Nëse dalim ndaras, krijohet mundësia që diku dy parti të merren vesh, diku 3, në një komunë të mbështeten një kandidat i një partie, në një tjetër një kandidat i një partie tjetër ose edhe një listë tjetër. Kjo do të krijojë huti te strukturat tona, e le më te votuesi.

Nëse vendoset të dilet me lista të ndara, atëherë katër partitë e tjera (BESA, LD, AAA dhe VV) kanë gatishmëri të merren vesh të dalin bashkë (edhe me kandidatë edhe me lista) dhe kjo implikon përshtypjen se u nda VLEN-i.
Këto argumente janë dhënë mbi një muaj më parë.

II. Për sa i përket idesë se në disa apo në të gjitha komunat kandidatët do të duhet të caktohen në bazë të një a dy anketimesh, është gjithashtu një tjetër mekanizëm për ta vënë në pikëpyetje frymën dhe kauzën e koalicionit politik.
Dihet që shuma e partive individuale të një koalicioni është shumë më pak se fryma që shpreh ai koalicion. Anketimet mund të nxjerrin të dobët një parti dhe një tjetër më të fort, por kjo vetëm sa do ta zvetënonte koalicionin si plotni. Çfarë, p.sh., nëse ndodh që në ato anketime ASH-ja del të jetë partia e tretë me numër votash? Ky rezultat, në fakt, nuk do të ishte keq për ASH-në si parti, por për vetë koalicionin. Sepse do të bëhej pretekst për sherr dhe revizione të shumta në kuadër të qeverisë. VLENi u formua mbi parimin e të barabartëve mes të barabartëve, pa marrë parasysh numrat, anketimet, shtrirjet e partive.

Në listën e deputetëve të LVV në Kosovë bëjnë pjesë 15 deputetë të Listës Guxo dhe të Alternativës së znj. Mimoza Kusari edhe pse këto dyja parti në anketimi dalin 2-3% marrë së bashku. Por atje është lexuar se ideja e bashkimit është përtej numrave që japin anketat.

VLENi në zgjedhjet e fundit ka marrë, ndoshta, rreth 35 apo 40 mijë vota mbi numrin e rezultateve që nxirrnin anketimet që u bëheshin në ato kohëra partive individuale.

Anketimi është një mekanizëm që mund të ishte shumë i dobishëm në rastin kur dy parti pajtohen të bëjnë koalicion parazgjedhor dhe duan t’i masin forcat. Por kur bëhet edhe brenda koalicionit, që tashmë funksionon si i tillë për 1 vit dhe ka një histori suksesi të përbashkët, kjo do të sillte vetëm sherr e dëm.

Anketimet brenda për brenda VLENit vërtetë se mund të rrisin gradën e objektivitetit por zbehin subjektivitetin e VLENit në vetvete.

Shkruan: Bekim Qoku, deputet

Related posts

Maqedonia si kryesuese e OSBE-së do të organizojë dy konferenca të mëdha në Shkup dhe Aman

Gazeta Max

Anulohet gjykimi i ish-drejtores së Agjencisë për programe edukative evropiane, Lidija Dimova

Gazeta Max

Shpallja e dedikuar për ndarjen e tokës për kultivimin e kulturave strategjike

Gazeta Max