GazetaMax
Lajme

Mediat në Kosovë të ndara mes të ‘tonave’ dhe të ‘atyre’

Në një shoqëri të lirë dhe demokratike pritet që mediat të jenë të pavarura, të paanshme dhe të vendosin interesin e publikut mbi interesat politike. Por realiteti në vendin tonë shpesh tregon të kundërtën. Kemi media që nuk e fshehin anën e tyre politike, disa rreshtohen haptazi pas pozitës, ndërsa të tjerat bëjnë të njëjtën me opozitën.

Nga Avni Selmani

Kjo ndarje nuk vjen rastësisht, as nuk është një dukuri e re, por është bërë më e dukshme dhe më e theksuar në vitet e fundit.

Sot nuk është e nevojshme ta dëgjosh një lajm deri në fund për të kuptuar se çfarë qëndrimi do të mbajë media. Mjafton të shohësh logon apo emrin e saj dhe menjëherë e di nëse lajmi do të sulmojë apo do të mbrojë. Nuk ka më as përpjekje për të fshehur anshmërinë. Dhe kur ndodh kjo, mediat nuk janë më burime informacioni por funksionojnë si zëdhënës të politikës jo si media të pavarura.

Kjo gjendje ka sjellë një pasojë të rëndë. Mediat nuk e pranojnë të vërtetën nëse ajo vjen nga pala kundërshtare. Nëse kryeministri bën diçka të mirë, mediat që janë kundër tij heshtin. E njëjta ndodh edhe me opozitën. Nuk vlerësohet ajo që është e drejtë, por ajo që u shkon për shtat atyre që e mbështesin.

Dikur mund të thuhej se kjo vinte nga mungesa e guximit. Sot nuk është më çështje guximi sepse tashmë mund të thuash çfarë të duash. Çështja është interesi. Nëse një opinionist hesht, sulmon apo lavdëron, ai nuk e bën këtë sepse ka frikë por sepse ka interes. Dhe ky interes është i formave të ndryshme.

Kështu publiku përballet me një realitet ku lajmet janë kthyer në qëndrime të njëanshme.

Edhe më shqetësuese është mungesa e reagimit nga vetë asociacionet e mediave. Ato shpesh heshtin kur mediat bëhen të njëanshme, sepse nuk duan të prishin raportet me ndonjërën palë apo thjesht nuk e kanë guximin të mbajnë qëndrim të drejtë. Në vend që të mbrojnë standardin dhe qytetarin, zgjedhin të mos thonë asgjë.

Si pasojë e këtyre parregullsive, kjo gjendje pasqyrohet edhe në Indeksin e fundit të Lirisë së Mediave. Kosova është renditur në vendin e 99, duke rënë për 45 vende. Kjo nuk është thjesht një numër, por një pasqyrë e qartë e realitetit që kemi lejuar të krijohet. Dhe kjo është ndoshta gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një vendi që pretendon të jetë demokratik.

Në këtë gjendje rruga e kthimit nuk është e lehtë por duhet të fillojë nga vetë qytetari. Duke mos pranuar më të jetë konsumues pasiv i propagandës por kërkues aktiv i së vërtetës. Duke mos pranuar që mediat të ndahen në “tonat” dhe “të atyre” por duke u kërkuar të gjithave që të jenë profesionale, të drejta dhe të ndershme. Sepse kur media vendos të mbajë anë, e vërteta mbetet pa u treguar. Dhe pa të as demokracia nuk mund të ecë përpara.

A.S.

Related posts

Moti në Maqedoninë e Veriut

Gazeta Max

Ministri Limani në Konferencën rajonale në Tiranë për avancimin e reformave të kujdesit ndaj fëmijëve

Gazeta Max

Në Parkun e qytetit prezantohet puna e njesive pranë MPB-së m rastin e Ditës së pavarësisë

Gazeta Max