Merz kritikon Scholzin për politikë të paqartë ndaj Ballkanit Perendimor

Berlin, 23 Maj – Gjatë një fjalimi në Bundestag, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se nuk do të ketë procedurë të shkurtuar për anëtarësimin e Ukrainës në BE. Krichbaum lavdëron Bashkinë e Tiranës

“Ukraina ka aplikuar për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Komisioni pritet ta japë vlerësimin e tij për aplikimin përpara Këshillit të BE-së, në fund të qershorit. Dhe në të njëjtën kohë, të gjithë e dimë se Emmanuel Macron ka të drejtë kur thekson se procesi i anëtarësimit nuk është çështje e disa muajve, por e disa viteve”, tha politikani socialdemokrat duke shtuar: “Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të përqendrohemi tani në mbështetjen e shpejtë dhe pragmatike të Ukrainës. Unë do të diskutoj mënyrën më të mirë për ta bërë këtë me kolegët e mi, por nuk është rrugë e shkurtër në rrugën drejt BE-së, pasi duhet të tregohemi të drejtë me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Scholz.

“Po zhvillojmë bisedime për të shmangur pengesat”

Në lidhje me perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE, Scholz theksoi se Gjermania po përpiqet për të shmangur pengesat për përparimin e negociatave. Ai agrumentoi:

“Kjo ka të bëjë me sigurinë tonë, e cila nuk mund të arrihet pa një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe evropian. Prandaj, BE-ja tani duhet t’i japë Ballkanit Perëndimor. Dhe unë jam i përkushtuar për këtë duke zhvilluar bisedime për të arritur përparim në negociata dhe për të hequr pengesat e fundit brenda BE-së.”

Scholz foli edhe për Procesin e Berlinit, të iniciuar nga paraardhësja e tij Angela Merkel, duke paralajmëruar edhe vizitën e tij të parë në rajon qysh në qershor. “Do të udhëtoj  me mesazhin e qartë se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian.”

Friedrich Merz

Merz kritikon Scholzin për politikë të paqartë

Kryetari i grupit parlamentar më të madh të opozitës, Friedrich Merz, e kritikoi qeverinë për një qendrim jo të qartë, ndër të tjera, edhe sa i përket anëtarësimit të Ukrainës në BE: 

“Po, ne besojmë se Ballkani Perëndimor duhet të përfshihet në Bashkimin Evropian. Ne pajtohemi me ju se Ukraina duhet të ketë perspektiva për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Por çfarë thotë qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë për këtë çështje?  A jeni për statusin kandidat të Ukrainës apo jo? Do të kishte qenë një rast i mirë për ta thënë këtë këtu në Bundestagun gjerman këtë mëngjes”, tha Merz. 

Merz kritikoi Scholzin edhe për paqartësi në lidhje me propozimin e presidentit francez Emmanuel Macron për krijimin e një grupimi të ri politik përtej Bashkimit Evropian. 

“Gjatë vizitës së tij këtu në Berlin, presidenti francez sugjeroi zhvillimin e një sistemi të ri integrues, për të afruar shtetet të ndryshme me Bashkimin Evropian. Ai foli për bashkimin e demokracive të botës rreth Bashkimit Evropian. Si do të realizohet kjo? Ne jemi pro që kjo të ndodhë. Por si duhet të funksionojë institucionalisht? A mendoni, për shembull, se duhet të forcohet Zona Ekonomike Evropiane, dhe se një instrument mund të jetë EFTA? A mendoni se me këto vende duhen bërë Marrëveshje Asociim-Stabilizimi, që edhe ato të hyjnë në BE?”, tha Merz. 

Krichbaum lavdëron Tiranën

Një përgjigje të parë ndaj propozimit të presidentit Macron, duket se e ofroi deputeti kristiandemokrat, Gunther Krichbaum: “Ne kemi nevojë për një model për ato vende që nuk duan, nuk munden ose nuk janë ende gati për të bërë pjesë në BE. Le ta quajmë anëtarësim të asociiuar, por ky duhet të jetë një model i besueshëm. Do të ishte një stacion i ndërmjetëm, dhe jo stacioni i fundit. Ky model do të përbënte një dallim të dukshëm nga koncepti i Partneritetit të Privilegjuar”, tha folësi i grupit parlamentar të CDU/CSU-së për çështje të Bashkimit Evropian. 

Rama dhe Krichbaum në vitin 2019 në Bundetag

Pas takimit Krichbaum dhe Merz patën një drekë pune me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, dhe ndoshta  kjo ishte arsyeja përse Krichbaum do të përmendte Shqipërinë në fjalimin e tij: “Ne na duhen sinjale mbështetëse për Ukrainën. Le të inkurajojmë qytetet dhe komunat tona të bëjnë parneritete mes qytetesh. Kjo është një ndihmë që realizohet më shpejt se anëtarësimi në BE. Kjo është një ndihmë konkrete. Ose siç e ka bërë Shqipëria, në këto ditë, që ia ndryshoi emrin rrugës te Ambasada Ruse, dhe e quajti “Ukraina e Lirë”. 

Mbështetje për Ukrainën

Samiti i Posaçëm, që do të zhvillohet më datat 30 dhe 31 maj 2022 në Bruksel do të ketë si temë kryesore pasojat e luftës në Ukrainë. Scholz me këtë rast përforcoi se qëllimi i përbashkët i BE-së është që Ukraina të mbijetojë nga lufta:

Qeveria federale do të vazhdojë të mbështesë vendin ushtarakisht, “duke u konsultuar dhe koordinuar ngushtë ndërkombëtarisht”, premtoi kancelari  Gjermania nuk do të shkojë e vetme, as qeveria federale nuk do të bëjë ndonjë gjë që do ta kthente NATO-n në palë lufte, premtoi politikani socialdemokrat. Në të njëjtën kohë, Scholz e mbajti shikimin në periudhën e pasluftës; Ai u shpreh për ngritjen e një fondi solidariteti për rindërtimin e Ukrainës. 

Të fundit në përqindje