GazetaMax
Lajme

Mexhiti: Ashensor për të gjitha ndërtesat 4 dhe 5 katëshe në Çair

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, sot para opinionit ka paralajmëruar një nga projektet më humane dhe më të domosdoshme për komunën-instalimin e ashensorëve modern në të gjitha ndërtesat e vjetra në territorin e Çairit që aktualisht nuk kanë ashensorë.

“Me krenari njoftoj se fillojmë një projekt kapital për ndërtimin dhe instalimin e ashensorëve modernë në të gjitha ndërtesat ekzistuese në territorin e Çairit, të cilat nuk kanë, por kanë nevojë per ashensorë. Për dekada, banorët e ndërtesave të vjetra me katër ose pesë kate përballen me një sfidë të madhe, mungesën e ashensorëve. Për fqinjët tanë të moshuar, për personat me vështirësi në lëvizje, për familjet me fëmijë të vegjël, ngjitja e përditshme nëpër shkallë është një mundim i madh. Kjo kohë merr fund”, deklaroi Mexhiti. Ai theksoi se ky nuk është një premtim elektoral, por një projekt konkret që tashmë ka hyrë në fazën përgatitore, me ekipe inxhinierike që ndodhen në terren për të kryer vlerësime teknike të detajuara për secilën ndërtesë.

Mexhiti njofton se sipas analizave fillestare, ekzistojnë kushte teknike për ndërtimin dhe instalimin e 81 ashensorëve në 81 hyrje të 31 ndërtesave, ndërsa procesi i verifikimit po vazhdon për të gjitha objektet kolektive të banimit në komunë. Për të garantuar efikasitet, transparencë dhe mbikëqyrje profesionale, Mexhiti poashtu njoftoi se si bartës dhe koordinator i projektit është emëruar z. Muhamed Murtezi, i cili do të kujdeset për realizimin e çdo faze deri në përfundim të plotë të punimeve.

“Përfitimet nga ky projekt janë të mëdha: – Qasje dinjitoze për të gjithë: Sigurojmë qasje të lehtë dhe të sigurt në shtëpi për qytetarët tanë më të moshuar, për personat me aftësi të kufizuara dhe për të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë. – Lehtësim për familjet: Ndihmojmë prindërit me fëmijë të vegjël që të mos e kenë më të nevojshme të bartin karroca apo çanta të rënda nëpër shkallë. – Rritje e vlerës së pronës: Vendosja e asensorëve rrit drejtpërdrejt vlerën e tregut të banesave në këto ndërtesa”, potencoi ai. Mexhiti gjithashtu bëri të ditur se projekti për ashensorët do të realizohet paralelisht me projektin për fasada energjetikisht efikase për ndërtesat e vjetra, duke theksuar se vizioni i tij është transformimi i plotë i kushteve të banimit në Çair.

“Ky projekt është pjesë e vizionit tonë më të gjerë për transformimin e plotë të kushteve të banimit në komunën tonë. Siç kam paralajmëruar më parë, paralelisht me këtë do të realizojmë edhe projektin për ndërtimin e fasadave energjetikisht efikase për të gjitha ndërtesat e vjetra. Qëllimi ynë është i qartë: ndërkohë që me fasadat sigurojmë banesa më të ngrohta dhe kursim të energjisë, me ashensorët sigurojmë qasje të lehtë dhe të dinjitetshme. Krijojmë një zgjidhje të plotë për një jetë moderne dhe komode. Çairi meriton të ecë përpara. Ne e dimë si ta bëjmë këtë”, përfundoi Mexhiti.

Related posts

Fajon: Maqedonia e Veriut në BE deri në vitin 2030 është qëllim real

Gazeta Max

Drejtorët që nuk i kanë paguar faturat e energjisë do të japin llogari në qeveri

Gazeta Max

Misioni paqeruajtës në Ukrainë, Lituania shprehet e gatshme të kontribuojë me trupa dhe pajisje ushtarake

Gazeta Max