Një vit më parë, morëm përsipër një detyrë të madhe dhe një përgjegjësi edhe më të madhe: ta kthenim politikën shqiptare nga një mjet për privilegje personale në një instrument që sjell dinjitet dhe zhvillim për çdo qytetar, për çdo shqiptar. Sot, pas një viti në qeveri, jemi krenarë t’ju paraqesim fakte, punë dhe rezultate konkrete.
Në vetëm një vit, krahas projekteve madhore, kemi ndërtuar drejtësi. Krahas investimeve, kemi rikthyer besimin. Nuk përmbyllëm vitin vetëm me fjalë të bukura, por me vepra konkrete. Treguam se qeverisja e vërtetë ka fuqinë për të transformuar jetën e çdo qytetari.
Ne hapëm mijëra vende të reja pune këtë vit. Vende pune me perspektivë dhe dinjitet. Investuam 40 milionë euro për vetëpunësim, një mundësi e re për të rinjtë dhe gratë, por edhe për të gjithë ata që duan të krijojnë.
Këtë vit paga minimale është rritur, ndërsa mësuesit, mjekët dhe policët kanë përjetuar rritjen më të madhe të pagave në dekada.
Ky ka qenë viti i transformimit të plotë ekologjik, me projekte konkrete dhe financim të garantuar.
Siguruam 52.5 milionë euro nga Bashkimi Evropian përmes parafinancimit IPA. Kemi nisur hartimin e një Plani Kombëtar për mjedisin, me objektiva të qarta dhe afate konkrete.
Në terren, rezultatet kanë filluar të ndihen: 55 milionë euro po investohen në ndërtimin e deponive sanitare moderne, që do t’i japin fund ndotjes masive nga mbeturinat e hedhura pa standarde.
Po investojmë në ujësjellës dhe kanalizime në çdo komunë, me fokus të veçantë në komunat shqiptare, për të garantuar ujë të pastër dhe sisteme higjienike të sigurta.
Në qytete, po vendosim autobusë ekologjikë, të cilët do të reduktojnë ndjeshëm ndotjen e ajrit dhe do të sjellin një standard të ri në transportin publik.
Të nderuar,
Veçanërisht dua të ndalem tek një tjetër fitore e madhe jona. Shënuam fundin e një epoke kriminale që i rrjepi qytetarët! E fituam luftën kundër industrisë së kazinove e bixhozit, që për dekada shkatërronte familjet dhe ekonominë tonë.
Për vite me radhë, nën sytë e një qeverie të korruptuar dhe të kapur nga interesat e ngushta, jo vetëm që kishte kazino të hapura në çdo skaj të vendit, por edhe kazino online që vepronin në mënyrë të paligjshme, duke helmuar rininë, shkatërruar familje dhe varfëruar çdo cep të shoqërisë sonë.
Këto kazino kanë qenë skemë e qëllimshme, e ndërtuar për të pasuruar një kastë të privilegjuar pë politikanëve, në kurriz të popullit.
Dhe këtë vit të qeverisjës sonë, ky kapitull i zi mori fund. Mbyllëm 226 kazino online dhe goditëm tregun e paligjshëm, duke i dhënë fund këtij helmi social.
VLEN-i ka kthyer dinjitetin qytetarit! Me vendosmëri dhe me ligjin në dorë, në faza të qarta dhe të qëndrueshme, mbyllëm dhe do të mbyllen të gjitha këto porta të helmit dhe korrupsionit.
Por, ndërkohë që ne punonim me përkushtim, përballë kishim një opozitë që zgjodhi të mbijetojë me mashtrim. Deri sa ne punonim, opozita u kthye në një kor fabrikimesh, sepse vetëm këtë dinë të bëjnë.
Sot, kur rezultatet tona janë të qarta, kur shkollat janë forcuar, kur bujqit kanë ndihmë konkrete, kur diaspora sheh që dikush më në fund po punon për të, dhe nuk po ua fshin emrin siç bënë, ata guxojnë të flasin për “rrënim”. Por rrënimi ishte kur ata ishin në pushtet.
Të njëjtit njerëz që sot akuzojnë e sulmojnë, janë ata që për vite mbajtën gjuhën shqipe peng. Ata që sot bëjnë zhurmë për Medresenë, për kampusin e UNT-së apo për shkollën në Nerovë, janë po ata që për një dekadë nuk bënë asgjë për to.
Janë ata që kurrë nuk e bënë Ligjin për Përfaqësim të Drejtë, por, krijuan një mekanizëm për shantazhimin e shqiptarëve, për ta ruajtur pushtetin e vet.
Ata flasin për shëndetësi, por nuk e dinë çfarë është respekti për mjekun. Ata flasin për siguri, por në kohën e tyre, shteti ishte kthyer në pronë private. Ata flasin për shtet të së drejtës, por në krye të partisë kishin njerëz që sot janë në arrati.
Kur shqiptarët kërkonin ndonjë vend pune, ata bënin pazare nën tavolinë. Kur qytetarët kërkonin drejtësi, ata e shisnin atë për vota e favore. Kur prindërit kërkonin çerdhe për fëmijët e tyre, ata hapnin kazino për klientelën e tyre.
Dhe kur humbën pushtetin, nuk bënë reflektim, por shpallën luftë ndaj çdo arritjeje tonë. Kur duhej të reformoheshin, u kthyen pas, u rreshtuan me të vjetrën, me të njëjtët emra, me të njëjtin mendim, me të njëjtat mashtrime. Në vend që të kërkonin falje për dëmet që kanë shkaktuar, u kthyen në prodhues të shpifjeve.
E sot kërkojnë përsëri besim. Por shqiptarët nuk kanë më durim për mashtrime të vjetra. Sot, shqiptarët shohin ndryshimin. Shohin dallimin.
Dallimi është i qartë: VLEN punon. Ata flasin. VLEN ndërton. Ata sulmojnë. VLEN hap dyer. Ata mbyllin shpresë.
Dallimi është konkret. Nuk ka më nevojë për fjalë, sepse kemi shkolla të reja, pagë minimale më të lartë, mijëra vende pune, diaspora po respektohet, korrupsioni po luftohet, shqiptarët po përfaqësohen drejt. Kufijtë po hapen, miqësitë po forcohen. Po investohet dhe po ndërtohet
Dhe ky është vetëm fillimi. Kjo është një qeveri që nuk i frikësohet të vërtetës, që nuk qeveris për pushtet, por për popull. Qeveri që i ktheu shqiptarëve dinjitetin e humbur.
Ishim të vetëdijshëm se trashëguam një sistem të korruptuar, të kalbur nga brenda dhe të zbukuruar nga jashtë me propagandë të pastër. Por koha e pasigurisë, e pazarit dhe e vjedhjes ka mbaruar. Koha e drejtësisë dhe punës është tani.
Kjo është qeverisja që VLEN. Dhe nëse e kemi arritur kaq shumë në vetëm një vit, imagjinoni se çfarë do të bëjmë deri në fund të këtij mandati.
Për fund, dua sinqerisht ta falënderoj ambasadorin Denion Meidani për interesimin e tij të sinqertë.
Pozicionet tona janë të përkohshme, si ato ekzekutive, ashtu edhe ato diplomatike, por Shqipëria dhe lidhjet tona me të, janë të përhershme.
Raporti i shtetit amë me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut i nderuar ambasador, duhet të jetë mbi të majtën e të djathtën, mbi subjektet, mbi partitë dhe mbi grupacionet. Duhet të jetë për shqiptarët.
Pra, ashtu edhe siç është precizuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë në Nenin 8, pikën 1, citoj: Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jetin jashtë kufijve të saj.
Ne gjithmonë, historikisht, kemi pasur raporte të shkëlqyera me të gjithë ambasadorët e Shqipërisë, si me z. Arben Çejku, ashtu edhe me z. Fatos Reka, edhe me të gjithë ambasadorët tjerë. Dhe kështu do të jetë gjithmonë, sepse raporti me Shqipërinë nuk njeh vija ndarëse, çfardo qofshin ato.