GazetaMax
Lajme

Mexhiti prezanton Strategjinë 2026–2030 me OBSH: Shëndeti publik dhe mjedisi, bashkë për një të ardhme të qëndrueshme

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti, sot realizoi takim pune me shefin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, dr. Akim Ali dhe koordinatoren e procesit Simona Atanasova ku u prezantua versioni përfundimtar i Strategjisë së bashkëpunimit për periudhën 2026-2030.

Strategjia paraqet një kornizë kyçe për punë të përbashkët midis OBSH-së dhe institucioneve shtetërore gjatë pesë viteve të ardhshme, me një fokus të qartë në shëndetin publik, ndryshimet klimatike dhe cilësinë e mjedisit. Strategjia e re është në përputhje me prioritetet kombëtare të shëndetësisë, qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ministri Mexhiti thekësoi se integrimi i shëndetit dhe ekologjisë nuk është vetëm një domosdoshmëri, por një detyrim për brezat e ardhshëm.

“Kujdesi për mjedisin është një shqetësim i drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve tanë. Prandaj, Ministria do të vazhdojë të jetë një nxitës i politikave që e përmirësojnë cilësinë e ajrit, ujin e pastër, përshtatjen ndaj klimës dhe planifikimin e qëndrueshëm urban – si parakushte kryesore për shëndet dhe mirëqenie më të mirë. Kjo strategji konfirmon angazhimin tonë që të veprojmë në kohë, në mënyrë të përgjegjshme dhe sistematike”, theksoi Mexhiti.

Ky dokument i njeh lidhjet e forta midis mjedisit dhe shëndetit – me fokus të veçantë në cilësinë e ajrit, ujin e pijshëm të sigurt, menaxhimin e mbeturinave të rrezikshme, planifikimin e qëndrueshëm urban dhe uljen e përgjithshme të ekspozimit të qytetarëve ndaj rreziqeve mjedisore dhe klimatike, si parakushte për një gjendje më të mirë shëndetësore të popullsisë dhe uljen e rreziqeve shëndetësore të shkaktuara nga mjedisi.

Në hartimin e Strategjisë morën pjesë mbi 150 përfaqësues nga institucione, organizata qytetare, grupe rinore dhe partnerë zhvillimorë, ndërsa Ministria e Mjedisit Jetësor luajti një rol kyç në përfshirjen e aspekteve ekologjike si një komponentë thelbësor e shëndetit publik dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Hapi i ardhshëm është nënshkrimi i përbashkët i Strategjisë në një takim ndërsektorial në vjeshtën e vitit 2025, me pjesëmarrjen e kryeministrit, ministrit të shëndetësisë, drejtorit rajonal të OBSH-së dhe përfaqësuesve të tjerë të lartë.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mbetet një partner i fortë në promovimin e shëndetit publik dhe mbrojtjes së mjedisit – me një qëllim të qartë: të krijojmë një shtet më të pastër, më të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët tanë, thuhet në kumtesë.

Related posts

Takim Xhaferi – Turkoviq: Relacionet mes Shkupit dhe Sarajevës lëvizin në vijën përpjetë

Gazeta Max

Telefonuan policinë në Kaliforni duke menduar se një person kishte ngecur në kanal të ujit të rrëmbyeshëm dhe po mbytej, konstatohet se ishte kukull

Gazeta Max

Në Kuvend debatohet për kandidatët për gjykatës kushtetues, në radhë Ljubomir Joveski

Gazeta Max