GazetaMax
Ballina

MF: Kontrolli sistematik i shoqërive financiare pas hyrjes në fuqi të Rregullores për rriskun e kredisë – vlerësimi i aftësisë kreditore dhe identifikimi i klientit

Shoqëritë financiare që punojnë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga fillimi i këtij muaji kanë obligim që të krijojnë sistem për menaxhimin e rriskut kreditor për identifikimin, matjen, kontrollin dhe monitorimin e rriskut kreditor, i cili përfshin, ndër të tjera, procedurën për vlerësimin e aftësisë kreditore, si dhe procedurën për identifikimin dhe përditësimin e të dhënave të klientëve. Mënyra e menaxhimit të rriskut kreditor është e përcaktuar me Rregulloren e re të miratuar nga Ministria e Financave, e cila është bazë për kontrollin sistematik në punën e shoqërive financiare.

 

Me zbatimin e rregullores në fjalë, pamundësohet që shoqëria financiare t’ia aprovojë kredinë parashtruesit që nuk posedon aftësinë paguese, përkatësisht shoqëria financiare para nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë, duhet ta vlerësojë aftësinë kreditore të parashtruesit të kredisë sipas informacioneve të parashtruesit dhe bazës së jashtme relevante të të dhënave. Nëse gjatë vlerësimit të aftësisë kreditore shoqëria financiare konstaton se detyrimet e përgjithshme mujore të parashtruesit të kredisë tejkalojnë 70% të të ardhurave të tij të përgjithshme mujore, shoqëria finaciare nuk do ta aprovojë kredinë e re. Në këtë mënyrë, do të parandalohet thellimi i mëtejshëm i borxhit të qytetarëve.

Krahas vlerësimit të aftësisë kreditore, me Rregulloren sigurohet mbrojtje më e madhe për konsumatorët e shërbimeve të shoqërive financiare nga keqpërdorimi i të dhënave personale, në mënyrë të tillë që rregullon procedurën me të cilën kompanitë financiare duhet të kryejnë identifikimin dhe përditësimin e të dhënave të klientëve dhe parashtruesve të kredive. Shoqëria financiare gjatë identifikimit duhet të sigurojë të dhëna nga klienti i përcaktuara në Rregullore, të cilat më pas bëhen pjesë e dosjes së kredisë dhe duhet të specifikohen në aplikimin e kredisë, si dhe në marrëveshjet e kredisë konsumatore.

 

Njëkohësisht, shoqëritë financiare nuk do të mund t’ia miratojnë kredinë konsumatore në rrugë elektronike personit fizik, nëse ndonjë e dhënë në aplikacion ose dëshmitë e dorëzuara janë ndryshe nga të dhënat që janë pjesë e dosjes së kredisë.

Vendosja e Sistemit të menaxhimit të riskut të kredisë, i përcaktuar me këtë rregullore, rezulton nga ndryshimet dhe plotësimet e fundit në Ligjin e Shoqërive Financiare, të cilat janë miratuar për mbrojtje më të madhe të qytetarëve, të cilët i shfrytëzojnë shërbimet e shoqërive financiare, si dhe për rritjen e besimit në shoqëritë financiare.

 

Në këtë drejtim, me këtë ligj u  caktua vlera  maksimale e  të gjitha shpenzimeve që lidhen me kredinë, u shfuqizua mundësia e marrjes së kredisë  për mbylljen e  kredisë paraprake në të njëjtën shoqëri financiare, u shfuqizua mundësia që shoqëritë tregtare që kanë  leje ose licencë në përputhje me Ligjin e Lojërave të Fatit dhe Lojërave Argëtuese, të jenë ndërmjetësuese  kredie të  shoqërive financiare, gjegjësisht të ofrojnë produkte kreditore. Me këtë ligj u përforcua mbikëqyrja e punës së shoqërive financiare, si dhe korniza rregullatore e punës së shoqërive financiare me qëllim që ato të përfaqësojnë institucione serioze financiare në treg.

Related posts

Maqedonia votoi për Putinin

Gazetamax.mk

Albanian Post për Ali Ahmetin: Personalitet shqiptar i vitit 2023

Gazetamax.mk

Zëvendësdrejtori Nura zhvilloi takim me antarë të QKSHA-së në Riverdale, New Jersey

Gazetamax.mk