Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, konfirmoi se ka zhvilluar një takim me liderin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, duke theksuar se gjatë bisedës janë qartësuar qëndrimet dhe se Kasami “ka filluar të dërgojë mesazhe të drejta”.
Kjo deklaratë vjen pas thirrjeve për votim mbi baza etnike, që disa kandidatë për kryetarë komunash nga koalicioni VLEN i kishin bërë ditët e fundit. Mickoski ishte i prerë se koalicioni qeveritar mbetet stabil dhe se bashkëpunimi ndërmjet partnerëve të qeverisë funksionon normalisht.
“Qeveria është stabile. Kemi një bashkëpunim korrekt me partnerët tanë dhe fokusi ynë është tek rezultatet konkrete për qytetarët, jo tek kalkulimet politike,” deklaroi Mickoski.
Ai gjithashtu komentoi deklaratat e kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, i cili kishte folur për vlerësimin e punës së qeverisë në periudhën e fundit njëvjeçare e gjysmë. Mickoski theksoi se është paradoksale që Filipçe e konsideron këtë periudhë të mjaftueshme për të vlerësuar qeverinë, ndërsa për drejtimin e tij në parti të të njëjtës kohë, e quan periudhë të shkurtër.
Kryeministri i mohoi edhe spekulimet për ndonjë bashkëpunim me ish-kryetarin e komunës së Strugës, Ramiz Merko, i cili publikisht kishte deklaruar se nuk do ta mbështesë BDI-në në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
“Nuk ka asnjë lloj marrëveshjeje apo bashkëpunimi me Ramiz Merkon. Këto janë spekulime të fabrikuara. Qëndrimi ynë është i qartë,” theksoi Mickoski.
Ai përsëriti se fokusi i qeverisë mbetet tek stabiliteti politik dhe ekonomik i vendit, si dhe tek reformat që pritet të përshpejtojnë zhvillimin dhe integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.


