Komisioni Evropian publikoi raportin vjetor për përparimin e vendit në procesin e integrimit evropian.
Fillimisht, dëshiroj ta falënderoj Komisionin Evropian për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj përpjekjeve tona reformuese.
E falënderoj edhe ambasadorin Rokas për bashkëpunimin konstruktiv dhe dialogun e hapur që kemi për të gjitha çështjet që lidhen me të ardhmen evropiane.
Kemi raport më të mirë se vitin e kaluar.
Komisioni Evropian konstaton përparim të konsiderueshëm në zbatimin e Agjendës sonë të Reformave dhe na rendit ndër vendet me rezultatet më të mira në kuadër të Instrumentit Evropian për Reforma dhe Rritje.
Në raportin e këtij viti nuk ka asnjë vlerësim për regres. Përkundrazi!
Në dy kapituj negociues është rritur niveli i gatishmërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përkatësisht në fushën e transformimit digjital dhe mediave, si dhe në arsim dhe kulturë.
Vitin e kaluar, një përmirësim i tillë ishte evidentuar në një kapitull.
Këto vlerësime mbështeten në rezultate konkrete.
Deri në qershor të këtij viti, Komisioni Evropian kishte lëshuar 142,1 milionë euro në kuadër të Agjendës së Reformave.
Në raport konfirmohet edhe rritja ekonomike prej 3,5 për qind në vitin 2025. Ky raport i Komisionit Evropian përfshin periudhën raportuese deri më 31 gusht të këtij viti, ndërsa më pas edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar edhe Banka Botërore i rishikuan në rritje parashikimet e tyre për rritjen ekonomike gjatë këtij viti.
Pse? Sepse kemi të dhëna të përditësuara për rritjen ekonomike në vitet 2024 dhe 2025. Në vitin 2024, rritja nga 3 për qind u rishikua në 3,8 për qind, ndërsa në vitin 2025 nga 3,5 në 3,8 për qind.
Papunësia gjatë së njëjtës periudhë u ul nga 12,5 në 11,7 për qind.
Këto janë rezultate që Komisioni Evropian i evidenton në vlerësimin e tij zyrtar për ekonominë tonë.
Komisioni Evropian konstaton përparim të mirë në transformimin digjital, shkencë dhe hulumtim, si dhe në politikën e jashtme dhe atë të mbrojtjes.
Deri në qershor të këtij viti, 44 institucione shtetërore e kanë përdorur sistemin e ri për arkivim elektronik dhe menaxhim të dokumenteve.
Portali Kombëtar, sipas të dhënave deri në fund të gushtit, përfshin 338 shërbime elektronike, përfshirë edhe ato që janë pjesërisht të disponueshme, ndërsa përdorimi i tij është dyfishuar në krahasim me vitin paraprak.
Këto janë ndryshime që nënkuptojnë institucione më efikase, procedura më të thjeshta dhe shërbime më të mira për qytetarët dhe kompanitë.
Në arsim është miratuar Strategjia e re për periudhën 2026–2032.
Vazhdon zhvillimi i arsimit profesional, ndërsa janë themeluar gjithsej tetë qendra rajonale për arsim profesional, prej të cilave tri tashmë janë funksionale.
Edhe këto ndryshime janë vlerësuar në raport.
Dëshiroj të ndalem veçanërisht te gjyqësori.
Komisioni Evropian konstaton se Ligji i ri për Këshillin Gjyqësor në masë të madhe i adreson rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Veçanërisht i rëndësishëm është krahasimi me vitin e kaluar.
Në kapitullin 23, i cili përfshin gjyqësorin dhe të drejtat themelore, Komisioni Evropian në vitin 2025 kishte konstatuar se nuk kishte përparim.
Këtë vit konstaton përparim të kufizuar.
Sa i përket funksionimit të gjyqësorit, vlerësimi është përmirësuar nga “nuk ka përparim” në “ka njëfarë përparimi”.
Ky është një hap përpara që duhet të vazhdojë dhe të dëshmohet përmes rezultateve në praktikë.
Të nderuar,
Në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, Komisioni Evropian konfirmon edhe përafrimin tonë të plotë me politikën e përbashkët të Bashkimit Evropian.
Kjo është një konfirmim i qartë i përcaktimit tonë strategjik dhe i rolit tonë si partner i besueshëm dhe kredibil evropian.
Këto janë gjetje konkrete nga raporti.
Të dhëna, reforma dhe rezultate që janë objekt i vlerësimit të pavarur nga institucionet evropiane.
Megjithatë, raporti përmban edhe vërejtje, të cilat i marrim me seriozitet të plotë. Ato janë pjesë e obligimeve që duhet t’i përmbushim ndaj qytetarëve tanë, pavarësisht dinamikës së negociatave për anëtarësim.
Përgjegjësinë për zbatimin e reformave e kanë të gjitha institucionet kompetente.
Qeveria duhet të vazhdojë me reformat ligjore dhe institucionale, si dhe të sigurojë kushtet dhe burimet e nevojshme.
Nga organet gjyqësore dhe prokuroriale priten rezultate konkrete, profesionalizëm dhe zbatim konsekuent i ligjeve.
Njëkohësisht, mbetet e hapur edhe çështja e ndryshimeve kushtetuese.
Qëndrimi ynë mbetet se integrimi evropian duhet të bazohet në rregulla të qarta, proces të parashikueshëm dhe besim të ndërsjellë.
Shteti ynë ka obligim t’i zbatojë reformat.
Procesi evropian ka nevojë për konsistencë dhe parashikueshmëri.
Të dashur bashkëqytetarë,
Dëshiroj që sot të përcjell edhe një mesazh më të gjerë politik.
Për këtë shoqëri dhe për të gjitha partitë politike, integrimi evropian mbetet përcaktim i përhershëm strategjik.
Pavarësisht të gjitha sfidave dhe vështirësive me të cilat jemi përballur gjatë dekadave të fundit, përcaktimi ynë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian mbetet i pandryshuar.
Arsyet për këtë janë shumë më të thella se çdo raport vjetor.
Kontesti me fqinjin tonë lindor dhe kontesti bilateral i imponuar, të cilin qeveria e kaluar pranoi ta përfshijë në kriteret e përgjithshme për anëtarësim, paraqesin padyshim një pengesë në zhvillimin e proceseve integruese.
Ne nuk kemi mungesë reformash, por kemi kushte politike të mbetura pezull.
Bashkimi Evropian është partneri ynë më i rëndësishëm ekonomik.
Bashkimi Evropian është hapësirë e lëvizjes së lirë, rregullave të përbashkëta, mundësive ekonomike dhe stabilitetit institucional.
Anëtarësimi nënkupton qasje në tregun e madh evropian, mundësi më të mëdha për kompanitë vendore, më shumë investime, infrastrukturë më të mirë dhe standarde më të larta në të gjitha fushat e shoqërisë.
Kjo nënkupton edhe institucione më të fuqishme, gjyqësor më efikas dhe mbrojtje më të mirë të të drejtave të çdo qytetari.
Për të rinjtë, perspektiva evropiane nënkupton më shumë mundësi për arsimim, zhvillim profesional dhe punësim.
Në rrethanat e sotme komplekse gjeopolitike, integrimi evropian merr një rëndësi shtesë. Siguria e kontinentit evropian, konkurrueshmëria ekonomike, stabiliteti energjetik dhe qëndrueshmëria ndaj ndikimeve të jashtme gjithnjë e më shumë varen nga aftësia e Evropës për të vepruar bashkërisht.
Ballkani Perëndimor është pjesë e asaj të ardhmeje evropiane.
Prandaj besojmë se procesi i zgjerimit duhet të marrë një energji të re.
Kjo energji duhet të vijë nga reformat që zbatojnë vendet kandidate, por edhe nga përkushtimi i qartë politik i vetë Bashkimit Evropian.
Ne jemi të gatshëm ta marrim përsipër pjesën tonë të përgjegjësisë.
T’i forcojmë institucionet.
Ta përmirësojmë ekonominë.
Të luftojmë korrupsionin.
T’i harmonizojmë ligjet dhe standardet me ato evropiane.
Ne nuk kërkojmë privilegje.
Kërkojmë zbatim konsekuent të parimit se përparimi duhet të vlerësohet në bazë të rezultateve të arritura.
Ne besojmë në një Evropë që i përmbush premtimet e saj.
Që i respekton parimet e veta.
Dhe që ka vetëbesim të mjaftueshëm për ta vazhduar misionin e saj historik të bashkimit.
Në fund, më lejoni edhe një herë ta konfirmoj përkushtimin tonë ndaj procesit të reformave dhe bashkëpunimit me institucionet evropiane.
Do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtin përkushtim.
Me masa konkrete, rezultate të matshme dhe perspektivë të qartë evropiane.
Edhe një herë, dëshiroj ta falënderoj ambasadorin për përkushtimin dhe mbështetjen që personalisht dhe në emër të institucionit e jep në këtë proces.
