Zgjedhja që na kthen prapa tashmë është parë në nivel qendror. Ata patën shtatë vite mundësi të tregojnë dhe dëshmojnë se vërtetë po luftojnë për shtëpinë e tyre, pra për shtëpinë tonë të përbashkët, atdheun tonë – Maqedoninë. Por pamë se ata luftojnë vetëm për haciendat e tyre në Halkidiki, në Dubai dhe jahtet e shtrenjta që i vozisin gjatë verës përgjatë bregdetit të Egjeut. Për ta, ky është kuptimi i terminit “luftojmë për shtëpinë tonë”, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në mitingun popullor të sotëm në komunën Lozovo, në kuadër të fushatës me sloganin: “Zgjedhja e vërtetë! Me njeriun tënd! Për vendin tënd! Për të ardhmen tënde!” për zgjedhjet lokale të caktuara për të dielën më 19 tetor.
Mickoski theksoi se pikërisht për këtë arsye është i bindur se nuk ka alternativë tjetër as për Maqedoninë, as për Lozovën, si pjesë përbërëse e shtetit, përveç kryetarit aktual dhe të ardhshëm të komunës, Boško Cvetkovski, si dhe VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit.
Ai iu referua tre premtimeve thelbësore gjatë fushatës zgjedhore të VMRO-DPMNE-së për zgjedhjet parlamentare, të cilat – sipas tij – janë realizuar në këto 15 muaj qeverisje: rritja lineare e pensioneve jo vetëm për 5000 denarë, por deri në mars ato do të rriten gjithsej për 7000 denarë për të gjithë pensionistët; si dhe 500 milionë denarë nga qeveria për komunat për realizimin e projekteve kapitale që përmirësojnë jetën e qytetarëve.
“Premtimi i tretë thelbësor ishte që ajo parti politike, e pareformuar, parti që në udhëheqjen e saj ka njerëz për të cilët ekziston dyshim i bazuar për kryerjen e krimit – e ajo është partia e udhëhequr nga Ali Ahmeti, BDI – të mos jetë pjesë e qeverisë dhe të jetë në opozitë. Siç mund të shihni, ata tash 15 muaj janë në opozitë dhe të tillë siç janë sot, të pareformuar, mendoj se edhe për një kohë të gjatë do të mbeten në opozitë,” theksoi Mickoski.
Ai shtoi se pavarësisht të gjitha sfidave me të cilat është përballur VMRO-DPMNE që nga dita e parë e marrjes së pushtetit e deri më sot – ku u ndeshën me probleme që dihej se ekzistonin, por pas hyrjes në institucione doli si surprizë e pakëndshme fakti se shteti ishte pothuajse në prag falimentimi dhe institucionet dhe themelet e shtetit ishin tërësisht të rrënuara.
“Por ne nuk u dëshpëruam, por i përveshëm mëngët dhe filluam të punojmë. Kjo është saktësisht ajo që e premtuam gjatë fushatës në vitin 2024, ku premtuam shumë punë, punë të ndershme dhe të palodhshme,” tha Mickoski.
Për këtë arsye, Mickoski bëri thirrje për dalje masive në zgjedhje dhe për të votuar për VMRO-DPMNE-në duke rrethuar numrin 9, që të vazhdojë puna dhe përparimi i shtetit.


