Atmosferë fitoreje dhe entuziazëm i madh mbretëroi në takimin e mbajtur në lagjet Migjeni dhe Drenovec, ku qytetarët e Tetovës shprehën mbështetje të fuqishme për kandidatin për kryetar komune, Bilall Kasamin.
Kasami, i cili garon për edhe një mandat në krye të Tetovës, tha se kjo pjesëmarrje masive është dëshmi se qytetarët e vlerësojnë punën dhe përkushtimin për të mirën e qytetit.
“Atmosfera dhe entuziazmi i fitores po ndjehet në çdo cep të Tetovës. Pjesëmarrja e sotme në lagjen Migjeni na jep sigurinë se Tetova e vlerëson punën tonë dhe përkushtimin për zhvillimin e qytetit”, theksoi Kasami.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Rufat Alili, veprimtar shqiptar në SHBA, i cili udhëtoi mijëra kilometra për të qenë pjesë e festës së fitores.
Kasami shtoi se për Tetovën po fillon **Kapitulli i Dytë i zhvillimit**, duke premtuar vazhdimësi të projekteve dhe transformimit të qytetit.

