Sofje/Shkup, 25 janar – Ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Nikollaj Millkov, pasditen e sotme deklaroi se ambasadori bullgar Angel Angelov do të qëndrojë jashtë Maqedonisë së Veriut derisa, siç tha ai, Sofja të shohë shenja ndryshimi.
Millkov dhe Angelov u dëgjuan nga Komisioni për Politikë të Jashtme. Në një deklaratë për mediat, Millkov tha se “nëse Maqedonia e Veriut vazhdon të sillet kështu, është e mundur që Bullgaria të vendosë sërish veto”.
“Për të vazhduar rrugën e saj evropiane, Maqedonia duhet t’i respektojë obligimet e marra në kuadër të propozimit evropian. Nuk ka nevojë që Bullgaria të bëjë asgjë, por të sigurojë përmbushjen e detyrimeve që ka ndërmarrë Maqedonia. Në vetë propozimin nuk ka afate, ato mund të mos respektohen me dekada, që do të thotë se negociatat nuk do të fillojnë”, tha Millkov.
Ministri bullgar i Punëve të Jashtme shtoi se Sofja mbetet e hapur për dialog nëse shqyrtohen projekte për mbrojtjen e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Nëse kjo nuk ndodh, ne mund të ndalojmë të gjitha projektet e tjera ndërqeveritare”, tha Millkov.