Një incident i rëndë ka tronditur futbollin spanjoll të hënën me 2 tetor, në përballjen ndërmjet Tenerife dhe FC Andorra në kuadër të ligës së dytë spanjolle pasi sulmuesi vendas Jesús de Miguel u rrëzua pa ndjenja në fushë pas një përplasjeje të fortë me portierin kundërshtar, Jesús Owono.
Ngjarja ndodhi në minutat shtesë të takimit, kur rezultati ishte 2-2.
Owono doli shumë larg portës për të larguar një top të gjatë, por në përpjekje për ta arritur atë u përplas me De Miguelin, duke e goditur me gju në pjesën e sipërme të trupit.
Sulmuesi 30-vjeçar mbeti i palëvizshëm në fushë, ndërsa futbollistët e të dyja skuadrave kërkuan menjëherë ndihmën mjekësore.
Disa prej bashkëlojtarëve të tij nuk arritën t’i përmbanin emocionet dhe u panë në lot gjatë ndërhyrjes së ekipit mjekësor.
Pas ndërhyrjes për disa minuta në fushë, De Miguel u largua me barelë dhe u transportua me ambulancë drejt spitalit.
Portieri Owono u ndëshkua me karton të kuq direkt, ndërsa gjyqtari, pas konsultimeve me përfaqësuesit e dy skuadrave, vendosi ta ndërpresë ndeshjen.
Më vonë, klubi i Tenerifes konfirmoi se De Miguel është shtruar në repartin e kujdesit intensiv (UCI) në Spitalin Universitar Nuestra Señora de Candelaria, duke bërë të ditur se gjendja e tij është stabile, por ende e rëndë.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, duke cituar radion COPE, sulmuesi pësoi arrest kardiorespirator gjatë transportimit me ambulancë drejt spitalit.
Ekipet mjekësore arritën ta rikthenin pulsin përmes reanimimit, ndërsa futbollisti ka rifilluar të marrë frymë pa ndihmën e aparaturave, megjithëse vazhdon të jetë pa vetëdije.
Ndërkohë, edhe FC Andorra ka reaguar përmes një mesazhi solidariteti, duke i uruar shërim të shpejtë futbollistit dhe duke shprehur mbështetje për familjen e tij dhe klubin e Tenerifes.
“Dëshirojmë t’i dërgojmë gjithë forcën dhe urimet tona më të mira Jesús de Miguelit pas incidentit të rëndë të pësuar gjatë ndeshjes së sotme”, thuhet në reagimin e klubit.
Futbolli spanjoll është në pritje të lajmeve të reja për gjendjen e sulmuesit 30-vjeçar, ndërsa shëndeti i tij mbetet shumë më i rëndësishëm se rezultati i ndeshjes.
Burimi: botasot.info
