Analisti Arjan Curri ka zbuluar në “Top Story” detaje nga takimi mes Erion Veliajt dhe Toni Gogut në burgun e Fierit.
Ai shpjegoi se takimi i tyre zgjati mbi dy orë, ndërsa shtoi se ministri shkoi ta takonte si mik të vjetër për ta pajtuar me Ramën.
“Duhet të themi që e paralajmëruam atë që Rama tha të nesërmen, që Veliaj po e minon. Flas për mbledhjen. Atë që ne thamë një ditë më përpara. Ideja është që Veliaj ka vendosur ta luftojë Edi Ramën. Ai thotë më jep provat ose ik. Kjo do të thotë që dëshirën e ka. Burimet në politikë vijnë edhe nga qarqe thashethemesh, janë të tilla të cilat duke i kryqëzuar mund të gjesh një të vërtetë. Pritej që një përfaqësues i lartë i PS do vizitonte Veliajn.
Fakti që Veliaj u ankua dhe bëri thirrje, fakti që dy deputetë që konsiderohen në krah të Veliajt, bëri që Toni (Gogu) shkoi në burgun e Fierit. Edhe këtu kemi burime të brendshme që në sferën e thashethemeve që nuk e dimë çfarë bëhet. Nuk është i vërtetë as versioni i Veliajt dhe as i Gogut. Qëllimi që Gogu shkoi në burgun e Fierit ishte një bisedë mbi 2 orë. Dihet miqësia mes tyre. Gogu është pastori që ka martuar Veliajn. Kanë një lidhje shpirtërore bashkë.
Takimi është bërë në një divan në formë këndi, ngjyrë kafe. Veliaj është ulur nga krahu i bibliotekës, ndërsa Gogu nga krahu i drejtorit. E njoh mirë si burg. Drejtori i burgut dilte dhe hynte herë pas here. Takimi nisi për shëndetin, për familjen, për këmbën e thyer të Veliajt e më pas ka shkuar edhe në politikë. Biseda është e gjitha e regjistruar.
Çdo aktivitet i Veliajt në burg është përgjuar dhe regjistruar. Dhe këto i kanë shkuar edhe Kryeministrit. Ndër të tjera, mund të jetë thënë që edhe mos ndoshta është më mirë që të marrë përgjegjësitë e veta politike. Jo në formën e kërcënimit.
Po e imagjinoj veten unë në vendin e pastor Tonit, sepse pak a shumë e di si flet një pastor, sepse kam qenë edhe vetë. Ore biri im Veliaj, ti nuk je Trotski. Fakti që s’je Trotski dhe që je këtu, dhe fakti që mua si pastor më intereson fati yt si njeri, a nuk është më mirë që të tërhiqeshe? Ky nuk është më Toni Gogu, është bisedë e imja.
Mendoj se e ka këshilluar se lufta nuk bëhet nga burgu. Nuk mund të drejtosh protestën nga qelia, nuk e drejton dot Tiranën nga qelia dhe nuk e rrëzon dot Ramën nga qelia. Veliaj ka luftën me drejtësinë dhe nëse del i pafajshëm aty, atëherë mund t’i ketë veglat për t’u përballur me Ramën.
Balluku nga ana tjetër, po vëzhgon situatën, edhe ajo me mundësinë që mund t’i japë Ramës një shtyrje për ta rrëzuar. Po ndodh një intrigë e madhe politike. Armiqtë po përgatisin shpatat. Por një pastor si Toni Gogu ka shkuar aty për t’i pajtuar përpara se të nisë lufta e hapur”, tha Curi.
Burimi:botasot.info
