GazetaMax
Ballina

Mos e teproni me mishin e kuq

Mishi i kuq, është i shëndetshëm apo helm? Përgjigjja mund të jetë “të dyja”.
Konsumi i tepërt i mishit të kuq është lidhur me sëmundje serioze dhe vdekje të parakohshme. Por, a është fjala për çdo lloj mishi të kuq? Dhe fundja, cila është sasia që quhet e tepërt?
Mishi i bagëtisë apo mishi i gjahut është një produkt ushqimor që ka rezultuar vendimtar në evoluimin e njeriut. Nga pikëpamja ushqyese ai është i çmuar sepse përmban proteina me vlerë të lartë biologjike, hekur me biodisponibilitetin më të lartë dhe një sërë elementesh të tjerë ushqyes që i nevojiten njeriut. Anemia është një ndër sëmundjet më të përhapura, sidomos në moshat e vogla. Miliona vdekje fëmijësh mund të parandalohen në botë nëse merren masa për të plotësuar hekurin në dietë, dhe mishi i kuq është burimi më i mirë dhe më efikas i tij.
Mishi i kuq, në aspektin antropologjik është një nga ushqimet më të përshtatshme për njeriun. Por, përse sot mishi i kuq gjendet nën akuzë dhe shihet si një kërcënim për njeriun?
Sasia
Paraardhësit tanë kanë kaluar jetën e tyre në kërkim të mundimshëm të ushqimit. Kanë shpenzuar energji të shumta për të siguruar ushqimin që gjente në territorin përreth tij. Pa dyshim që këtu bënte pjesë edhe gjahu, i cili ishte një trofe e një lufte të gjatë. Mishi ka qenë një luks për njeriun deri pak dekada më parë. Edhe në vendin tonë, deri pak kohë më parë, mishi sigurohej për raste festash ose pak herë në muaj. Kjo sepse nuk ishte e lehtë të rrisje kafshë, kishte mund dhe shpenzime.
Madje, edhe disa rite fetare, si për shembull kreshmet, mendohet të kenë qenë një mënyrë për t’i dhënë frymë bagëtisë. Ndërsa sot mishi i kuq konsumohet pothuajse çdo ditë. Që të përmbushet kjo kërkesë “maniake” e njeriut të sotëm, industritë ushqimore kanë siguruar prodhimin intensiv të kafshëve, të cilat kalojnë jetën e tyre të izoluara nga natyra, të ushqyera me koncentrat drithërash dhe aspak jeshillëk, të trajtuara me antibiotikë dhe hormone rritje, dhe të kryqëzuara gjenetikisht për të arritur masë trupore maksimale.
Cilësia
Nëse sërish i hedhim sytë pas, do të konstatojmë se mishi që përftohej deri disa dekada me parë rritej në aq kohë sa i kish përcaktuar natyra, me ushqim të gjelbër, duke kullotur i lirë dhe duke jetuar në harmoni me klimën dhe natyrën. Studimet kanë treguar se këto kafshë kanë një profil yndyrash krejtësisht ndryshe nga kafshët që rriten në regjim stallor. Ato përmbajnë yndyra esenciale shumë më tepër se këto të dytat, faktor ky tepër i rëndësishëm në sëmundjet kardiake, metabolike dhe tumorale.
Kafshët e prodhimit intensiv trajtohen me antibiotikë, fakt ky që mendohet të jetë përgjegjës për rezistencën ndaj antibiotikëve dhe transformimin e baktereve, si dhe transformimin e florës bakteriale të njeriut që i konsumon. Flora bakteriale është një ndër armët më të forta të organizmit tonë kundër sëmundjeve auto-imunitare, sëmundjeve kronike dhe atyre tumorale. Nëse kafshët trajtohen edhe me hormone, konsumatori i mishit të tyre vendoset në rrezik për një sërë sëmundjesh që lidhen me funksionin hormonal, siç është edhe kanceri i gjirit.
Ruajtja
Mënyra e therjes, higjiena, kullimi i gjakut dhe ruajtja në ambiente të freskëta, janë hapa tepër të rëndësishëm në parandalimin e formimit të nënprodukteve të metabolizmit të mikrobeve, të cilat mund të rezultojnë në substanca të dëmshme për shëndetin e njeriut.
Përpunimi
Trajtimi i mishit me nitrate, zakonisht për t’i ruajtur nga baktere të rrezikshme, siç ndodh në rastin e sallameve dhe proshutave, është një ndër shkaqet e formimit të nitrosaminave – përbërës kancerogjen të një shqetësimi të madh. Për këto përbërës ekziston një limit i caktuar si “i sigurt”, por shpesh kontrollet ushqimore kanë hasur nivele më të larta, si për shembull, të panceta.
Tymosja e mishit është gjithashtu një procedurë problematike duke shkaktuar prodhim lëndësh toksike.
Gatimi
Studimet tregojnë se mënyra e gatimit është një faktor shumë i rëndësishëm në pasojat që mishi ka në shëndetin e njeriut. Gatimi në skarë apo në tigan, në temperaturë të lartë, kontakti me flakë dhe tym dhe koha e gjatë e gatimit, luajnë rol vendimtar në formimin e substancave kancerogjene, veçanërisht promotore të kancerit të zorrës së trashë.
Si të veprojmë?
Konsumoni mish të kuq jo me shpesh se 1 herë në javë ose jo më shumë se 200gr në javë. Rekomandimet sot këshillojnë masa edhe më drastike. Nëse të gjithë veprojmë kështu, industritë ushqimore do të detyrohen të ulin prodhimin dhe mundësia për të rritur cilësinë do të jetë më e madhe. Kjo është vota e konsumatorit për cilësi.Konsumoni më pak dhe më rrallë nënprodukte të mishit si sallamet, proshutat dhe pançeta.Zgjidhni mish nga bagëti të rritura natyralisht. Sigurohuni për trajtimin e shëndetit të tyre.Marinoni mishin me vaj ulliri, rozmarinë, hudhër dhe limon për disa orë përpara gatimit. Kombinimi i mishit të kuq me djathë rezulton në ulje të veprimtarisë kancerogjene në zorrën e trashë.Gatuajeni mishin të zier ose të pjekur, pa e lënë të digjet apo të marrë ngjyrë shumë të kaftë.Shoqërojeni me perime si brokoli, qepët, lakra e bardhë ose lulelakra, dhe me një gotë verë të kuqe të mirë.

Related posts

Cili person ia bëri Anglinë vend të ngrohtë këngëtares Bruna Smulja

Gazetamax.mk

Cila është koha më e mirë e ditës për të ushtruar?

Gazetamax.mk

Filipçe: Refuzova ofertat për punë në SHBA, Zvicër, Gjermani vetëm për të qëndruar këtu

Gazetamax.mk