Moti të hënën, reshje shiu dhe stuhi në disa zona

TIRANË, 16 nëntor/ATSH/ Vendi ynë do të ndikohet të hënën, më 16 nëntor, nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me alternime vranësirash dhe reshje shiu me intensitet të ulët e lokalisht mesatar, veçanërisht në orët e pasdites.

Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik, në zonat veriperëndimore dhe qendrore reshjet do të shoqërohen herë pas here me shtrëngata.

Era do të fryjë me drejtim jugperëndim-jug, me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa përgjatë bregdetit, në lugina dhe zonat malore, ajo pritet të arrijë deri në 16 m/s. Në det, valëzimi parashikohet të jetë i forcës 2-4 ballë.

Sa i përket temperaturave, ato do të luhaten nga 6 gradë Celsius në Dibër, në vlerat minimale, deri në 23 gradë Celsius në Berat, Vlorë dhe Sarandë, në ato maksimale.

Në Tiranë, temperaturat parashikohen të luhaten nga 15 në 22 gradë Celsius, ndërsa në Durrës nga 14 në 22 gradë Celsius.

Në Shkodër termometri do të shënojë 11-16 gradë Celsius, në Kukës 9-11 gradë, në Lezhë 11-19 gradë, në Elbasan 13-22 gradë, në Korçë 10-19 gradë dhe në Gjirokastër 13-19 gradë Celsius.

Burimi:botasot.info