Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi po thellojnë bashkëpunimin mes dy vendeve. Rezultati i parë konkret i aktiviteteve të dakorduara është vendosja e një linje të drejtpërdrejtë ajrore mes Shkupit dhe Tivatit, e cila do të nisë funksionimin më 1 maj të vitit të ardhshëm, me dy fluturime në javë.
Këtë e bëri të ditur zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, pas takimit të sotëm bilateral me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Filip Ivanoviq.
Nikolloski theksoi se bëhet fjalë për realizimin e marrëveshjes së arritur gjatë vizitës së tij të mëparshme në Podgoricë, duke nënvizuar se lidhja e re ajrore do të kontribuojë në rritjen e shkëmbimeve mes dy vendeve.
“Sot, së bashku me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, dakorduam dhe tashmë po bëhet realitet linja e drejtpërdrejtë ajrore Tivat–Shkup. Ajo do të operojë dy herë në javë, do të nisë më 1 maj dhe shpresoj se do të kontribuojë ndjeshëm jo vetëm në rritjen e numrit të udhëtarëve dhe shkëmbimeve mes dy vendeve, por edhe në zhvillimin e turizmit dhe biznesit”, deklaroi Nikolloski.
Ai shtoi se gjatë vitit të ardhshëm planifikohet organizimi i një forumi biznesi, ku kompanitë nga të dyja vendet do të kenë mundësi të njihen dhe të diskutojnë për mundësi të reja të bashkëpunimit ekonomik.
Nikolloski bëri të ditur gjithashtu se me Qeverinë malazeze po zhvillohen negociata për vendosjen e linjave të tjera ajrore, përkatësisht Shkup–Podgoricë dhe Tivat–Ohër.
Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimeve ishte lidhja infrastrukturore, veçanërisht mundësitë që hap ndërtimi i autostradës Shkup–Bllacë për komunikimin rajonal, transportin dhe bashkëpunimin ekonomik.
“Me ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë, të cilën Maqedonia e nisi në fund të muajit gusht, krijohet lidhje e drejtpërdrejtë me Malin e Zi dhe hapet mundësia që vendi ynë të ketë qasje edhe në portin e tretë, atë të Tivarit. Duke pasur parasysh se kemi lidhje të mira me portin e Selanikut dhe po ndërtojmë lidhjen me portin e Durrësit, me këtë autostradë do të kemi qasje të mirë edhe në portin e Tivarit. Në këtë mënyrë bëjmë atë që është më e mira për shtetin, që si vend pa dalje në det të kemi qasje në të paktën tri porte”, deklaroi zëvendëskryeministri Nikolloski.
Në takimin bilateral u konfirmua gjithashtu bashkëpunimi i shkëlqyer politik mes dy vendeve dhe mundësitë për avancimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat.
Zëvendëskryeministri Nikolloski përgëzoi Malin e Zi për proceset reformuese dhe përparimin e arritur në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se anëtarësimi i tij në BE do të ishte një nxitje e rëndësishme jo vetëm për këtë vend, por edhe për të gjithë rajonin dhe procesin e zgjerimit të Unionit.
Burimi: alfax.mk
