GazetaMax
Uncategorized

Mungesa e ujit të pijshëm në Luboten, Kostovski “përvesh” mëngët, pas kronikës së Klan Maqedoni!

Pas lajmit të TV Klan dhe ankesave të banorëve të Lubotenit për mungesën e ujit të pijshëm ka reaguar kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kostovski e ka quajtur historik projektin për furnizim me ujë të pijshëm fshatin Luboten, megjithatë njofton se në këtë rrjet do të kyçet edhe fshati maqedonas Lubancë.

Sipas Kostovskit, ky projekt po përparon me dinamikë të shkëlqyeshme, duke shënuar një hap të rëndësishëm për përmirësimin e jetës së banorëve të këtyre vendbanimeve.

Në njoftimin e tij Kostovski ka deklaruar se në një nga mbledhjet e Qytetit të Shkupit, sot, u miratua vendimi për vendosjen e bashkëpunimit ndër komunal ndërmjet Komunës së Butelit dhe Qytetit të Shkupit. Shton se ky vendim, i mbështetur me shumicë votash, garanton lidhjen e rrjetit të ujësjellësit të qytetit të Shkupit me rrjetin e ri të ujësjellësit për Lubotenin dhe Lubancën.

“Projekti historik i ujit të pijshëm në Lubancë dhe Luboten po përparon me dinamikë të shkëlqyeshme! Sot në mbledhjen e Qytetit të Shkupit, me shumicë votash PËR, është miratuar vendimi për vendosjen e bashkëpunimit ndërkomunal ndërmjet Komunës së Butelit dhe Qytetit të Shkupit. Bëhet fjalë për një vendim i cili garanton lidhjen e rrjetit të ujësjellësit të qytetit të Shkupit me rrjetin e sapo planifikuar të ujësjellësit për Lubancën dhe Lubotenin. Faza e parë e këtij projekti historik do të financohet nga Ambasada Amerikane, me vlerë prej 800 mijë dollarëve. Dy fazat e tjera të projektit do të financohen nga qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komuna e Butelit. Dokumentacioni i projektit është përgatitur nga Komuna e Butelit në vlerë prej 5 milionë denar” ka shkruar në faqen e tij zyrtare në facebook kryetari i Butelit Darko Kostovski.

Kostovski thotë se ky është vetëm fillimi.

“Ky është vetëm fillimi. Zhvillimi i zonave rurale është prioritet për ne, sepse të gjithë qytetarët meritojnë kushte të barabarta jetese dhe infrastrukturë moderne”, ka shkruar më tej Kostovski.

Me këtë projekt sipas Kostovskit zgjidh një problem afatgjatë të furnizimit me ujë të pijshëm, por gjithashtu forcon bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe sjell përfitime afatgjata për banorët e Lubotenit dhe Lubancës.

Burimi: TV KLAN

Related posts

Taravari: Për herë të parë në historinë e Maqedonisë arrestohet dikush që djeg flamurin shqiptar

Gazetamax.mk

Koalicioni “Të gjithë për gjykime të drejta”/ Avramovski: Rrezikohemi të mbetemi pa Gjyqtarë, Prokurorë dhe ekspertë nëpër Gjykata

Gazetamax.mk