GazetaMax
Lajme

NATO “duhet të bëj më shumë” për të garantuar sigurinë e përbashkët

Berlin, 9 Tetor – Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, ka thënë gjatë një vizite në Lituani se, NATO-ja duhet të bëjë më shumë për të garantuar sigurinë e përbashkët dhe që ta mbrojë veten nga çfarëdo veprimi agresiv i Rusisë.

“Fakti është që ne, NATO-ja, duhet të bëjmë më shumë për sigurinë e përbashkët, sepse ne nuk mund ta dimë sa larg shkojnë iluzionet e (presidentit rus, Vladimir) Putin”, ka thënë Lambrecht, teksa ka vizituar trupat gjermane të angazhuara në shtetin baltik.

“Ne kemi dëgjuar kërcënimet e Rusisë në Lituani, e cila ka zbatuar sanksionet evropiane në kufi me Kaliningradin. Këto nuk janë kërcënimet e para dhe ne duhet t’i shohim me seriozitet dhe të jemi të përgatitur” ka thënë ajo.

“Siguria e Lituanisë është siguria e Gjermanisë. Është ky premtim për siguri të përbashkët për të cilin duhet të përkushtohemi sot”, ka thënë ajo në bazën ushtarake Rukla të Lituanisë.

Gjermania udhëheq një brigadë ndërkombëtare prej 3.000-5.000 ushtarësh në Lituani.

Kjo forcë është pjesë e përpjekjeve të NATO-s për të forcuar krahun lindor, pas nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

Lituania gjendet në kufi me enklavën ruse të Kaliningradit si dhe me aleaten e Kremlinit, Bjellorusinë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Related posts

Për momentin po bëhen llogaritjet për çmimin e rrymës nga 1 janari, nuk priten shtrenjtime të mëdha

Gazetamax.mk

Anëtarët e rinj në këshillin gjyqësor do të angazhohen për respektimin e kritereve gjatë përzgjedhjes së gjykatësve

Gazetamax.mk

Do të thjeshtësohet procedura për vendosje të fotovoltaikëve

Gazetamax.mk