Ka ndërruar jetë Samka Ibraimovski, kryetar për shumë vite i Partisë për Emancipimin e Plotë të Romëve (PÇER), ish-deputet dhe anëtar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.
Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur djali i tij përmes rrjeteve sociale.
„Me pikëllim të madh ju njoftojmë se sot ndërroi jetë babai ynë i dashur, Samka Ibraimovski. I japim lamtumirën një njeriu që gjithmonë përpiqej t’u ndihmonte të tjerëve, edhe atëherë kur kjo dukej e pamundur“, ka shkruar djali i tij në Facebook.
Ibraimovski ka lindur më 27 shtator të vitit 1954 në Tetovë, ndërsa arsimin e lartë e ka përfunduar në Fakultetin e Menaxhmentit në Novi Sad.
Angazhimin e tij politik e nisi në PÇER, ndërsa gjatë karrierës u zgjodh deputet në Kuvend. Ai ishte i njohur për angazhimin e tij politik dhe përfaqësimin e interesave dhe të drejtave të komunitetit rom në Maqedoni.
Përveç karrierës politike, Ibraimovski ka ushtruar edhe funksione drejtuese në institucione dhe organizata të ndryshme, ndër të cilat edhe në Qendrën e Pranimit për Azilkërkues në Shkup.
Burimi:TV21
