Prokuroria themelore publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit ka nxjerrë urdhër për ndërprerjen e hetimeve lidhur me furnizimet me mazut për nevojat e TEC Negotinë, ku ishin të përfshirë 13 persona, mes tyre edhe biznesmeni Ratko Kapushevski, pronar i kompanisë RKM.
Nga Prokuroria njoftuan se pas një procedure hetimore njëvjeçare nuk është vërtetuar se të dyshuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkoheshin, e as nuk është konstatuar ekzistenca e ndonjë vepre tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.
Objekt i hetimit ishin dyshimet për keqpërdorime në procedurat e furnizimit me mazut për TEC Negotinë gjatë kohës së krizës energjetike, lidhje të paligjshme të kontratave dhe anekseve, si dhe pastrim parash.
“Nga provat rezultoi se procedurat për furnizimin me mazut janë zhvilluar në kushte të krizës energjetike të shpallur nga Qeveria e RMV-së dhe në përputhje me përjashtimet ligjore të parashikuara në nenin 23 të Ligjit për Prokurime Publike, me qëllim sigurimin e prodhimit të pandërprerë të energjisë elektrike”, thonë nga Prokuroria.
Gjatë hetimit janë analizuar dokumente financiare dhe kontraktuale, ekspertiza dhe dëshmi nga dëshmitarë, përfaqësues të ESM-së, TEC Negotinës dhe operatorëve ekonomikë që posedonin licenca për tregti me mazut.
Prokuroria pretendon se procedurat janë zhvilluar në mënyrë transparente dhe se ESM ka kontaktuar të gjitha kompanitë me licencë për tregti me mazut.
“Nga deklaratat e përfaqësuesve të operatorëve ekonomikë rezultoi se një pjesë e kompanive nuk kanë marrë pjesë në procedura për shkak të vlerësimeve afariste dhe ekonomike, respektivisht për shkak të sasive të mëdha, garancive bankare të nevojshme dhe rreziqeve që lidhen me gjendjen e atëhershme në tregjet energjetike”, thuhet nga Prokuroria.
Sipas Prokurorisë, mazuti është dorëzuar me kohë dhe në asnjë moment nuk është vënë në pikëpyetje prodhimi i energjisë elektrike.
“Në periudhën kritike nuk ka pasur reduktime në furnizimin me energji elektrike, ndërsa prodhimi në TEC Negotinë ka mundësuar sigurimin e energjisë elektrike me çmime dukshëm më të ulëta se ato të tregut të lirë”, thuhet në njoftim.
Prokuroria gjithashtu pretendon se nuk është konstatuar dëm ndaj ESM-së apo buxhetit të shtetit.
“Nga provat rezultoi se ndryshimet në planin vjetor të prokurimeve publike dhe lidhja e anekseve janë realizuar me vendime të organeve kompetente të AD ESM, me vendime të Bordit Drejtues dhe të konfirmuara nga Bordi Mbikëqyrës”, shtojnë nga Prokuroria.
Sa i përket dyshimeve për pastrim parash, Prokuroria vlerësoi se mjetet e paguara nuk paraqesin përfitim pasuror të fituar në mënyrë të paligjshme.
“Transaksionet financiare, pagesat, blerja e pronave dhe transferimi i mjeteve ndërmjet llogarive nuk mund të konsiderohen si veprime të pastrimit të parave apo fshehjes së mjeteve të fituara në mënyrë të paligjshme”, thuhet nga Prokuroria.
Kundër vendimit për ndërprerjen e hetimeve, personi juridik i dëmtuar ka të drejtë ankese në Prokurorinë e Lartë Publike në Shkup brenda afatit prej tetë ditësh.
Më herët, policia e kishte arrestuar biznesmenin Ratko Kapushevski, ndërsa Prokuroria kishte hapur hetim ndaj 13 personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe pastrim parash.
Laboratori Hulumtues Reporterik (IRL) në mars të vitit 2022 publikoi se kompania RKM kishte shitur 188 mijë tonë mazut për TEC Negotinë në vlerë prej 112 milionë eurosh gjatë kohës së krizës energjetike.
