GazetaMax
Lajme

Ndeshja Shqipëri-Serbi dhe rreziku i një eksperimenti me Maqedoninë e Veriut

Ndeshja e mbrëmshme, zemra që lanë në fushë lojtarët e kombëtares sonë, brohoritjet urrejtjendjellëse të publikut, kremtja e paparë e rinisë sonë qyteteve shqiptare, pulsi ynë i përbashkët kudo që jemi nëpër botë, më bënë të mendoj për luftën, për mundin, për tërë rrugën që kemi kaluar e që është aq e shenjtë sa për të mos ia lënë në dorë atyre që s’dinë, atyre që s’duan, atyre që e ndërrojnë të pandërrueshmen me luksin dhe inatin primitiv, kudo qofshin në shtetet tona, në trojet tona, e sidomos këtu në Maqedoni, ku fija është më e hollë

Nga Vjollcë BERISHA

Tek dëgjoja thirrjet e tifozëve serbë se Kosova është zemra e Serbisë dhe tërë atë urrejtje që vinte nga tribunat e stadiumit, mendoja si do të na pushtonin e vrisnin pa mëshirë përsëri po t’u jepej mundësia më e vogël. Ky mendim duhet të na mbajë gjithmonë të mobilizuar. Klasa jonë politike, e gjithë shqiptarëve kudo që jemi, nuk e ka luksin të eksperimentojë, të vërë diçka tjetër në rend të parë, përpara fuqizimit të dy shteteve tona, të rendjes kah Bashkimi Evropian, kah NATO-ja. Asnjë interes tjetër, asnjë lakmi pushteti nuk guxon ta ngadalësojë këtë qëllim të epërm.

Për fat të keq, në Maqedoninë e Veriut politika shtetërore ka kthyer fytyrën kah Serbia, kah ata që na kanë vrarë e që nuk janë penduar ende.

Ulja e një serbi në karrigen e zëvendëskryeministrit që është përgjegjës për ruajtjen e raporteve ndëretnike, duke i rregulluar të drejtat e shqiptarëve që i garanton Marrëveshja e Ohrit, kremtimi i festave serbe në Maqedoni dhe i atyre maqedonase me zyrtarë të lartë serbë, përbuzja dhe nënvlerësimi i zyrtarëve të lartë të Kosovës, sjellja me statusin e gjuhës shqipe dhe eliminimi i instrumentit që balanconte proporcionin e pjesëmarrjes së drejtë të shqiptarëve në shtet, është dëshmia më e dukshme se si kjo qeveri kërkon t’i lëndojë ndjenjat e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe një nga një të pezullojë çdo arritje politike të avancimit të të drejtave të tyre, për të cilën është angazhuar i tërë organizimi ynë politik, të gjitha partitë shqiptare, që nga themelimi i shtetit.

E vetmja herë që nuk po shihet asnjë angazhim, madje asnjë keqardhje për rrënimin e rrugës së ndërtuar me mund e vështirësi, rrugë që është ngritur edhe mbi gjakun e bijve tanë të njomë, është kombinimi VLEN, kombinimi i partive pa shtrirje, pa fuqi politike, që para se të ulen në karrigen e pushtetit si të zgjedhurit e Kryeministrit, kanë varur në gozhdë krenarinë e tyre kombëtare. Si parti të veçanta ndoshta edhe mund t’i sillnin diçka politikës shqiptare, mund të angazhoheshin për çështjet tona, por si të bashkuar janë totalisht pa zë, sepse edhe vetë grupimi i tyre është sa për t’i zënë dera e asaj qeverie që na urren, e asaj qeverie që e ka marrë forcën nga votuesi i vet si porosi, si dorëzim simbolik shpate, për t’i mundur shqiptarët. Këta shqiptarë që rrojnë në një pallat me ta, që shkojnë në shkolla të njëjta, në tregje të njëjta me ta, që u sillen mirë, që nuk i kanë bojkotuar kurrë në vendbanimet ku ata (maqedonasit) janë pakicë, që nuk i fyejnë, e që prapë se prapë nuk i shohin dot me sy, që do të dëshironin t’i shihnin të vdekur siç brohorasin stadiumeve nën duartokitjet e ministrave e të kryeministrave madje.

Ky hov primitiv i nacionalizmit shtetëror ndalohet vetëm me angazhim serioz politik të faktorit shqiptar. Të atij faktori që e di se Atdheu nuk është lojë kalamajsh dhe se disa procese janë të pakthyeshme po i lejove të ndodhin. Të atij faktori politik që e di se është krijuar jo për një kravatë ministri, si këmbanë në qafë, por për të artikuluar, realizuar dhe mbrojtur të drejtat tona shqiptare, që e ka shumë të qartë se nuk jeton në një shtet ku mund t’i lejojë luksin të angazhohet për kauza bashkëkohore qytetare, sepse ende s’i ka të pastruara çështjet parësore të kauzës së vet kombëtare, sepse Kosovën ende e ka një shtet të brishtë, sepse Shqipërisë i duhet edhe pak të mbërrijë në ngrehinën e Bashkimit Evropian, sepse në Maqedoninë e Veriut e fyejnë përditë në sy të atyre që s’bëzajnë e që paradoksalisht kërkojnë “një zë” në zgjedhje. (Mbase për të na heshtur përgjithmonë!)

Ndeshja e mbrëmshme, zemra që lanë në fushë lojtarët e kombëtares sonë, brohoritjet urrejtjendjellëse të publikut, kremtja e paparë e rinisë sonë qyteteve shqiptare, pulsi ynë i përbashkët kudo që jemi nëpër botë, më bënë të mendoj për luftën, për mundin, për tërë rrugën që kemi kaluar e që është aq e shenjtë sa për të mos ia lënë në dorë atyre që s’dinë, atyre që s’duan, atyre që e ndërrojnë të pandërrueshmen me luksin dhe inatin primitiv, kudo qofshin në shtetet tona, në trojet tona, e sidomos këtu në Maqedoni, ku fija është më e hollë.