​Ndryshimet klimatike mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve të reja infektive

Shkup, 29 Prill – Ndryshimet e klimës do të çojnë në përhapjen e mijëra viruseve të reja në mesin e specieve shtazore deri në vitin 2070 dhe kjo ka të ngjarë të rrisë rrezikun e sëmundjeve të reja infektive, sipas hulumtimeve të fundit shkencore.

Kjo veçanërisht vlen për Afrikën dhe Azinë, kontinente që kanë qenë vatra sëmundjesh vdekjeprurëse që janë përhapur nga njerëzit te kafshët ose anasjelltas, përfshirë gripin, HIV, Ebolën dhe koronavirusin.

Studiuesit, të cilët publikuan gjetjet e tyre sot në revistën “Nature” shqyrtuan se si më shumë se 3.000 specie gjitarësh mund të migrojnë dhe përhapin viruse gjatë 50 viteve të ardhshme nëse bota ngrohet me 2 gradë Celsius.

Ata zbuluan se përhapja e virusit midis gjitarëve do të ndodhte më shumë se 4.000 herë. Zogjtë dhe kafshët detare nuk u përfshinë në studim.

Studiuesit kanë theksuar se jo të gjithë viruset do të përhapen tek njerëzit ose do të bëhen pandemi si koronavirusi.

“Nuk flasim shumë për klimën në kontekstin e zoonozave – sëmundjeve infektive që mund të transmetohen nga kafshët tek njerëzit. Studimi ynë trajton dy nga dy krizat më urgjente globale që kemi”, tha një nga autorët e studimit, Colin Carlson, asistent profesor i biologjisë në Universitetin Georgetown.

Ekspertët e ndryshimeve klimatike dhe sëmundjeve infektive kanë rënë dakord se ngrohja globale ka të ngjarë të çojë në shtimin e rrezikut të viruseve të reja.

“Meqenëse sëmundjet infektive të lidhura me klimën ndoshta tashmë po ndodhin, bota duhet të bëjë më shumë për të mësuar dhe përgatitur për të. Kjo nuk mund të parandalohet, madje edhe në skenarin më të mirë të ndryshimeve klimatike”, tha bashkëautori i studimit, Gregory Albery, ambientalist në Universitetin Georgetown.

Të fundit në përqindje