GazetaMax
Lajme

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor nën hijen e harresës!

Shkup, 24 janar – Ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk janë vetëm dëshirë por janë nevojë e domosdoshme që të kenë kuptim zgjedhjet dhe vota e lirë demokratike, mos të votohet partia të votohet individi, për sa i përket hapjes së listave. Vetëm nëpërmjet ndryshimeve të tilla do të arrihet cilësi në përfaqësim dhe pastaj këta përfaqësues do të përmbushin obligimet e tyre në mënyrë të denjë. Pjesa tjetër e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor parasheh zvogëlimin e zonave që aktualisht janë 6 ndërkaq nga ASH patën kërkuar 8, partitë maqedonase janë për një zonë të vetme zgjedhore si dhe largimin e pragut zgjedhor. Nga kjo kuptohet se ndryshimet e tilla janë në favor të partive politike më të vogla që kenë mundësi të përfaqësojnë qytetarët e tyre në Kuvend. Por, ndryshimet e tilla më shumë se për partitë politike janë të dobishme për qytetarët duke reflektuar dhe kthyer rëndësinë e peshën e votës së tyre. Megjithatë, një gjë është e sigurt se ky model zgjedhor i mundëson kryetarit të partisë të bëjë cilin do deputet, ndërkaq ndryshimi i modelit përkufizon individin dhe ka kriter cilësinë sepse sovrani vendos përmes votës së lirë se nga kush dëshiron të përfaqësohet, shkruan Zhurnal.

A u harruan ndryshimet në Kodin Zgjedhor në Maqedoninë e Veriut?

Ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Zgjedhor që parashikojnë vendosjen e një njësie zgjedhore, të paraqitura nga deputetët e partive më të vogla parlamentare, janë çështje që diskutohen ndër vite por që çdoherë përfundojnë nën hijen e harresës, pra edhe pse të gjitha partitë shprehen se janë për këto ndryshime, asnjëra nga partitë e mëdha nuk merr mundin që procedurat për këtë temë të përshpejtohen dhe të marrin një epilog.

Në ndryshimet e propozuara qysh vitin e kaluar parashihet që i gjithë territori i Maqedonisë së Veriut të përfshihet vetëm në një njësi zgjedhore pa prag zgjedhor, duke u mundësuar si partive më të vogla politike, ashtu edhe partive të komuniteteve më të vogla etnike, të ushtrojnë të drejtën e tyre të përfaqësimit në Kuvendin e vendit.

Ndryshimin e vetëm që deri më tani kanë pranuar partitë ka të bëjë aplikimin në zgjedhje të identifikimit biometrik apo përdorimin e gishtërinjve gjatë votimit. Ligji për këtë risi në procesin e votimit është miratuar në Kuvend.

Partitë politike shqiptare janë pro modelit për zgjedhjen e përfaqësuesve në institucionin ligjvënës përmes listave të hapura, por janë të ndarë për sa i përket njësive zgjedhore. BDI preferon të mbetet sistemi aktual me 6 njësi zgjedhore përderisa partia shqiptare në opozitë Aleanca për Shqiptarët, konsideron se përfaqësimi i shqiptarëve do të ishte më i denjë përmes 8 njësive zgjedhore.

Ndërkaq, partia maqedonase në pushtet LSDM para se të vijë në pushtet është zotuar se do të angazhohet për modelin zgjedhor me një njësi zgjedhore, ndërkohë që aktualisht mbron qëndrimin se për këtë duhet arritur konsensus me partitë politike relevante. Kjo pasi e rrezikon pushtetin e saj po nuk u dakordua të paktën me liderët e partive që i ka në koalicion qeverisës.

VMRO DPMNE-ja pati thënë se do të mbështesë draft-ligjin e propozuar nga partitë më të vogla me kusht që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo që më njihet se nga kjo parti çdo muaj kanë kërkesën e njëjtë duke kërkuar vetëm zgjedhje të parakohshme, sepse sipas kësaj partie LSDM nuk e ka legjitimitetin e popullit të qeverisë me vendin.

Aktualisht, në Maqedoninë e Veriut ka 120 deputetë zgjidhen sipas modelit të pastër proporcional në 6 njësi zgjedhore, i cili zbatohet nga viti 2002 deri në zgjedhjet e fundit të mbajtura në vitin 2020. Të gjitha tentimet për ndryshimin e këtij modeli kanë dështuar.

Në raportin e publikuar pas zgjedhjeve parlamentare të 15 korrikut të vitit 2020, OSBE/ODIHR doli me shtatë rekomandime që duhet të zbatohen në afat sa më të shkurtër kohor. Ato veç tjerash kanë të bëjnë me harmonizimin e Kodit Zgjedhor me ligjet e tjera përkatëse, me angazhimet e OSBE-së, detyrimet ndërkombëtare dhe praktikat e mira.

OSBE-ja kërkon që ndryshimet të bëhet në një procedurë publike dhe në kohë të mjaftueshme përpara zgjedhjeve të ardhshme. Zgjedhja e anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve duhet të përcaktohet qartë dhe të bëhet në mënyrë transparente. Gjithashtu kërkohet rishikimi i procedurave të regjistrimit të votuesve ndërsa nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Enti Shtetëror për Revizion kërkohet që të pajisen me burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare. Një tjetër kërkesë ka të bëjë me rishikimin e rregulloreve për reklamat e paguara politike në media, në mënyrë që të lejohet qasja e papenguar në media mbi baza jodiskriminuese.

Ndryshimi modelit zgjedhor nevojë e domosdoshme-

VMRO-DPMNE ka numrin më të madh të deputetëve në Kuvend, 38, LSDM 30, ndërsa BDI 15. Sipas modelit aktual zgjedhor, partitë më të vogla para zgjedhjeve bëjnë koalicion me partitë e mëdha dhe marrin disa vende të rezervuara në listat e zakonshme. Pra, kanë më shumë deputetë se vota të fituara. Janë të nevojshme reforma në rregulloren zgjedhore dhe një sistem që do t’u mundësojë qytetarëve të dinë se vota e tyre është e vlefshme.

Megjithatë, duke marrë parasysh gjendjen e partive politike aktive në Kuvendin e vendit, kuptojmë që një ndryshim në modelin zgjedhor është mëse i nevojshëm, gjë që ndikon qartazi në rritjen e cilësisë së deputetëve. Dhe, me ndryshimet e atilla do të ulet doza e lavdeve kushtuar liderëve të partisë, sepse pastaj nuk të bënë lideri deputet por të bën populli me votën demokratike. Në situatën që jemi, mbase janë të palogjikshme por të pritshme falënderimet e liderëve partiak sepse ata vendosin kush prej personave do të jenë në listat për deputet, dhe kush çfarë numri rendor do të ketë.

Kjo i bie që me modelin aktual kryetari i partisë apo partia të bënë deputet por jo cilësia, dhe në momentin që pozita ofrohet pa qenë kriter cilësia rezultatet janë të ditshme e të pritshme. Mbase, kjo nuk është në favor të disa partive politike që kanë persona të inkriminuar por një gjë është e sigurt që modeli zgjedhor që do të ndryshojë do të jetë në favor të votuesve atyre që e bartin sovranitetin e tyre te përfaqësuesit në Kuvend. /Zhurnal.mk

Related posts

Tërmet në Korfuz, lëkundjet ndihen edhe në Shqipëri

Gazetamax.mk

Murtezani nënshkruan marrëveshje për sponsorizimin e Forumit energjetik të Maqedonisë 2023

Gazetamax.mk

Nuk ka vendim për hyrje të ASH-së në Qeveri, do të bisedohet përsëri

Gazetamax.mk