GazetaMax
Lajme

Ndryshimi i avokatëve në prag vendimi, zvarrit gjyqin për Edison Memollën

Ka dështuar sërish seanca për kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës Edison Memolla në Apelin e Posaçëm Antikorrupsion. Shkak është bërë ndryshimi i avokatëve të Blerim Xhamanit dhe Isuf Toskut, që u dënuan nga GJKKO përkatësisht me 1 vit dhe 8 muaj burg, ku për Toskun dënimi u pezullua duke u vendosur në shërbim prove.

Avokatët e tyre të rinj kërkuan kohë të njihen me aktet e dosjes dhe për këtë shkak seanca u shty për më 13 janar. Pjesë e kësje dosje ishte Ndriçim Tafxhafa që u dënua me 1 vit burg gjithashtu për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Edison Memolla është dënuar prej rreth një viti në Shkallën e Parë me 1 vit burg për korrupsion zgjedhor. Më 24 janar të vitit 2025 Gjykata e Posaçme e gjeti dhe e shpalli fajtor Memollën.

Audio përgjimi tregoi se kryebashkiaku, ende në detyrë ndonëse i dënuar nga Shkalla e Parë, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, ndikonte tek një punonjës i OSHEE, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.

Prokuroria e Posaçme tha se gjithë kjo bëhej me qëllim që qytetari të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 Mars 2022. Përveç dënimit me 1 vit burg, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi si dënim plotësues, se për 5 vitet e ardhshme Memolla nuk mundet të mbajë asnjë funksion publik.

Tashmë në Apelin e Posaçëm pritet të vendoset nëse miratohet dënimi i tij ose jo, ku nëse lihet në fuqi merr formë të prerë dhe Memolla do të duhet të lërë postin e kryebashkiakut.