Në Lagjen Fushë Topanë të Çairit, po merr jetë një nga projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme të infrastrukturës sportive e arsimore në kryeqytet, falë angazhimit dhe vizionit të Izet Mexhitit. Me një investim të konsiderueshëm prej 1 milionë euro, pishina e re shkollore pritet të shndërrohet në qendër të aktiviteteve sportive dhe edukative për fëmijët e komunës.
Ky objekt modern, i projektuar sipas standardeve bashkëkohore evropiane, do të shërbejë për mësim noti, ushtrime fizike, gara sportive dhe aktivitete rekreative gjatë gjithë vitit. Pishina do të ketë një sipërfaqe prej 620 m², me thellësi që varion nga 80 centimetra deri në 1.30 metra, duke ofruar siguri dhe mundësi për të gjitha grupmoshat. Struktura po ndërtohet mbi themel betoni të armuar dhe kornizë çeliku, duke garantuar jetëgjatësi dhe rezistencë të lartë.
Falë përkushtimit të Mexhitit dhe bashkëpunimit të ngushtë me ekipin e tij, punimet po ecin me ritme të shpejta. Synimi është që deri në muajin shtator, objekti të jetë plotësisht funksional, në mënyrë që nxënësit e Çairit të përfitojnë menjëherë nga kjo hapësirë e re moderne.
Ky investim nuk është i pari i këtij lloji nga ana e Izet Mexhitit. Në të kaluarën, ai ka qenë iniciator dhe mbështetës i një sërë projektesh që kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe sportive, duke e kthyer Çairin në një shembull për zhvillim të qëndrueshëm dhe përkujdesje ndaj brezave të rinj.
“Izeti po tregon se kur ka vullnet dhe vizion, projektet bëhen realitet. Kjo pishinë nuk është vetëm një investim në sport, por një investim në shëndetin dhe edukimin e fëmijëve tanë”, shprehen banorë të zonës, të cilët presin me padurim përurimin.
Ky projekt është një tjetër dëshmi e faktit se përmes punës konkrete dhe përkushtimit, mund të ndërtohen vepra që i shërbejnë komunitetit për dekada me radhë.