TIRANË, 16 nëntor /ATSH/ Policia e Shkodrës arrestoi një 23-vjeçar i shpallur në kërkim pasi dyshohet si bashkautor në vrasjen e një shtetasi, në vitin 2023, në fshatin Hot i Ri.
Policia njoftoi se në kuadër të operacionit “Target”, u kap dhe u ndalua shtetasi L. M., 23 vjeç, banues në Shkodër.
Sipas policisë, ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shtetasi L. M. dyshohet se, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, ka vrarë shtetasin V. F., më datë 21 shtator 2023, në fshatin Hot i Ri.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi K. Ç., 26 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Këta dy shtetas u kapën në aksin rrugor “Shkodër–Prekal”, duke lëvizur me një automjet tip “Opel”.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të banesës së shtetasit L. M., iu gjetën sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kanabis sativa dhe kokainë. Lëndët e dyshuara narkotike, automjeti dhe 2 celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Burimi:botasot.info
