GazetaMax
Lajme

Në kujtim të Ali Podrimjes

AMANETI I POETIT
U bënë vite që në raftet e bibliotekës ruaj me xhelozi plikon me dy CD të antologjisë së poezisë shqipe, të bërë gati për botim nga i paharuari Ali Podrimja. Është fjala për kontributin e fundit të poetit famëmadh, të cilin, për shkak të ikjes së papritur nga kjo botë, nuk arriti ta botojë në versionin që deshi.
Antologjia në fjalë është amaneti që më bie hise ta përmbush, pas marrjes së pajtimit nga
familjarët e Aliut, sepse jetës nuk i dihet.
Megjithatë, para se të ndodhë kjo, për lexuesit e mi të respektuar po sjell ca fragmente domethënëse nga letërkëmbimi i bërë disa muaj para ikjes së Poetit në përjetësi, që shpërfaqin vullnetin me të cilin iu qas përgatitjes së antologjisë, e cila u desh të botohej shqip e frëngjisht me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë:
Miku im i vjetër. Më thuaj, sa poetë mund t’i zgjedhish për një antologji të poezisë shqipe në gjuhën frenge, që do të botohet në Bruksel. Nëse ke mundësi, zgjedh poetët që i respekton nga Maqedonia dhe që do të na nderonin para publikut belg. Përkthyes do të jetë poeti Vasil Capeqi, i cili ka botuar deri më tani disa libra në gjuhën frenge. Ne duhet të kërkojmë përkrahje edhe nga ata përkthyes e krijues që dijnë ta latojnë fjalën shqipe dhe të na nderojnë para lexuesit evropian. Mendo rreth kësaj që të shkrova dhe më lajmëro, se fjala shqipe duhet të depërtojë mu në zemër të Europës, nëse duam të jemi të respektuar.
*
Antologjia do të jetë e klasit të parë. Fjalën kryesore do ta shkruani Ali Aliu dhe Ti. Kam shpresë se askush nga ne nuk do të kursejë asgjë.
*
Unë jam njeri i qetë dhe i urtë, nderoj secilin njeri që ia do të mirën fjalës shqipe dhe 100-vjetorit të Shqipërise. Për fat të keq, mes nesh ka njerëz që nuk ia duan të mirën artit tonë dhe popullit tonë. Megjithtë, ne po bëjmë të pamundurën dhe dhashtë Zoti të na hapen rrugët kudo, sepse askujt keq nuk i kemi bërë. Të fala dhe çdo të mirë për të gjithë shokët krijues. Ju jeni ai shpirti ynë që i hap ato flatra të Shqiponjës mbi Sharr.
*
Puna më e madhe e kësaj antologjie është bërë. Unë i kam mbledhur poezitë e poetëve të gjitha anëve ku ka shqiptarë për të përgatitur një libër dinjitoz me titullin “Nën flatrat e shqipeve”.
*
Më beso se kam hjekur të zinjtë e ullirit, sepse dëshiroja që të paraqesim vërtet një libër të denjë të poezisë shqipe, ku janë të përfaqësuar, jo vetëm poetët e Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, por edhe poetët arbëreshë dhe arvanitas. Siç e di, libri ka një frymë dhe një dashuri e respekt për të kaluarën tonë.
Poezitë që po t’i dërgoj do të jenë krah poezive të poetëve të rrafshit tuaj. Lexoji dhe më shkruaj si të duken. Po ashtu, lexoje dhe Atdheun dhe Çizmen dhe zbulo mesazhet. Besoj se do të ndahesh mirë duke shëtitur nëpër to dhe duke zbuluar atë që është vërtet për t’u mbajtur mend.
Besoj se do të takohemi së shpejti dhe do të bisedojmë si vëllezër. Do ta zgjerojmë dhe grupin redaktues të antologjisë dhe botimeve tjera. Në mesin tonë do të kemi dhe disa emra të njohur.
*
Poezitë që m’i keni dërguar nga Tetova janë të denja dhe na respektojnë kudo. Më gëzon fakti se aty është Luli, Salajdini, Lindita, Shazimi…
Ne po bëjmë përpjekje që ta presim 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe t’i tregojmë botës se edhe kombi ynë di të festojë dhe të nderojë datat e shënuara që kemi pasur dhe do t’i kemi. Ne duam ta nderojmë popullin dhe kulturën tonë, jo të shesim mend e të kërcënojmë të tjerët.
*
Nuk do të ik nga kjo botë pa botuar ndonjë libër të krijuesve nga Maqedonia në ndonjë gjuhë europiane. Këtë e them me gjithë zemër, sepse jam nga ata që njeh shume botues të huaj. Nuk di pse ca skribomanë frikësohen prej kësaj ideje…
*
Jam tepër i dërmuar dhe i lodhur, por duhet ta kryej punën që e kam nisur. Megjithëse jam i semurë dhe i rraskapitur do bëj përpjekje…
*
Unë pakës jam molisur por do e mund edhe të keqen. Se jam ai që kam kërcyer nga Ura e fshejtë dhe kam qenë shampion i notit…

Related posts

Hoxhaj kërkon që Qeveria ta vizitojë NATO-n dhe t’i shohë mundësitë e anëtarësimit

Gazetamax.mk

Spasovski: Çdo rryshfet duhet të raportohet, korrupsioni gëlltitë vendet e punës

Gazetamax.mk

Edhe Maqedonia e Veriut pas dronëve Bayraktar

Gazetamax.mk