GazetaMax
Lajme

Në UT u përuruan hapësirat e qendrës së testimit TOEFL iBT

Tetovë, 18 Janar – Në Universitetin e Tetovës, sot u përurua hapësira Amerikane, në kuadër të së cilës do të funksionojë qendra e testimit TOEFL iBT dhe do të realizohen edhe shumë aktivitete të përbashkëta, të cilat do të organizohen nga Universiteti i Tetovës dhe Këndi Amerikan në Tetovë.

Në përurimin e kësaj qendre të pranishëm ishin Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Zv. Ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë, shkëlqesia e tij Eric Meyer, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Koordinatori i Këndit Amerikan në Tetovës, Mr.Sc. Gëzim Sulejmani, prorektorë, dekanë, studentë dhe mysafirë të tjerë.

Zv. Ambasadori i SHBA-ve, ekselenca e tij, Eric Meyer shprehu kënaqësinë që mori pjesë në përurimin e hapësirës Amerikane në Universitetin e Tetovës, njëherësh ai e vlerësoi lartë bashkëpunimin dhe partneritetin që ka Universiteti i Tetovës me Ambasadën e SHBA-ve në Shkup dhe me Këndin Amerikan në Tetovë.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti e falënderoi Zv. Ambasadorin Amerikan për mbështetjen e vazhdueshme që Ambasada e SHBA-ve po i jep Universitetit të Tetovës, për të cilën stafi akademik dhe studentët tonë i janë shumë mirënjohës. “Është kënaqësi e veçantë që për vizitë e kemi Zv. Ambasadorin Amerikan në vendin tonë bashkë me përfaqësuesit e Këndit Amerikan në Tetovë dhe që nënshkruam një marrëveshje me të cilën hapësira amerikane do të funksionoj brenda Universitetit të Tetovës, gjithashtu e përuruam edhe qendrën e re për testim të TOEFL iBT, që është një gjë shumë e madhe edhe për studentët edhe për të punësuarit tonë. E shfrytëzoj rastin edhe njëherë që ta përshëndes këtë iniciativë dhe t’i shprehi falënderime dhe mirënjohje Këndit Amerikan në Tetovë, si dhe Ambasadës së SHBA-ve për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme përmes programeve të ndryshme, siç janë Fullbright, Peace Corps e të tjerë. Prej sot e tutje, ky bashkëpunim i cili ka qenë jetik për Universitetin tonë, kalon në një nivel tjetër, dhe nga sot e tutje do të kemi mundësinë që brenda hapësirave tona të zhvillohen këto aktivitete me një intensitet të shtuar”, tha Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Koordinatori i Këndit Amerikan në Tetovë, Mr. Sc. Gëzim Sulejmani tha se, kjo qendër promovohet në kuadër të 15-vjetorit të funksionimit të këtij këndi dhe bashkë me Universitetin e Tetovës vazhdojnë të kontribuojmë në ruajtjen e miqësisë mes dy popujve tonë. “Kjo është një ditë e veçantë për Këndin Amerikan, jo vetëm që e shënuam 15-vjetorin e funksionimit të suksesshëm përmes programeve të ndryshme që shënojnë një miqësi të përhershme midisi popullit tonë dhe atij amerikan, por gjithashtu këtë ditë e bën edhe më të shënuar hapja e qendrës së re të testimit TOEFL iBT dhe ky test është i pranuar ndërkombëtarisht dhe ndikon në rritjen e cilësisë së institucioneve. Kjo nuk do të shërbejë vetëm si qendër TOEFL iBT, gjithashtu kjo hapësirë amerikane do të shërbejë edhe për realizimin e misionit të Këndit Amerikan dhe ky bashkëpunim do të hapë një faqe të re për Këndin Amerikan, dhe besoj se, së bashku me Universitetin e Tetovës do të kemi aktivitete të përbashkëta në fusha të ndryshme”, theksoi Mr. Sc. Gëzim Sulejmani.

Universiteti i Tetovës dhe Këndi Amerikan, sot po ashtu kanë firmosur edhe një marrëveshje bashkëpunimi, e cila parasheh që në hapësirën amerikane përveç qendrës së testimit TOEFL iBT, të realizohen edhe shumë aktivitete të tjera të ndryshme, ku do të përfshihen profesorët, studentët, nxënësit e shkollave të mesme, veç kësaj do të shënohen data të rëndësishme dhe njëkohësisht do të realizohen shkëmbime të ndryshme akademike.

Related posts

VMRO-DPMNE ka dorëzuar 200 amendamente për buxhetin

Gazeta Max

IPK fton disa avokatë për të mbrojtur 40 zyrtarët policorë të arrestuar sot

Gazeta Max

ITSHKSH do të zgjeroj veprimtarinë shkencore nëpër disa qytete/ Grubi: Edhe një realizim i madh programor

Gazeta Max