GazetaMax
Uncategorized

Në zoom: Artan Grubi, përballë “dashakeqëve” të “të gjitha ngjyrave”

-Mos qofsh në lëkurën e Artan Grubit, emrit “më të lakuar” të skenës politike, kur duhet të merresh me akuza e dyshime të supozuara të kundërshtarëve të vet, që i ka edhe na kampin politik maqedonas, edhe brenda BDI-së. Ndryshe nga shumë të tjerë, ai nuk i ik ballafaqimit, por flet me fuqinë e argumenteve…

(Editorial)

Të jesh Artan Grubi këto dy vitet e fundit, do të thotë të jesh si ai boksieri të cilit i dalin në ring një pas një plot kundërshtarë, e ai s’di të ndalet! Kur nuk arrijnë ta mposhtin një nga një, duke prishur rregullat e lojës, të gjithë kundërshtarët hipin në ring për ta kryer bashkë aktin e mposhtjes. Nëse kjo në sport duket skenë surrealiste, në politikë nuk ka “kufizime”, ndaj të gjithë mund t’i mëshojnë dikujt, madje dhe të bashkuar (“të gjithë kundër njërit”) pa pardon!
Larg jemi botës së artit, sepse jetojmë realizmin e situatave tona që surrealizmin e përmbajnë si diçka “natyrshëm”. Kur qëllimi politik arsyeton mjetet, kemi rezultatin momental që Artan Grubi, të jetë “njeriu për gjah”, por i cili me shkathtësi iu bën ballë të gjitha kurtheve, veprimeve që duken të nëntokës, goditjeve para dhe prapa shpine, nga opozitarët “e natyrshëm”(oponenca antiqeveritare) dhe atyre “të panatyrshëm”(oponenca brenda partiake).

Ka një kohë të gjatë që emri i zëvendëskryeministri të parë, Artan Grubi, nuk po zbret nga faqet ballore të shtypit në Maqedoni. Shumica e shkrimeve përmbajnë kritika e akuza në adresë të tij, por ka dhe të tilla që e mbrojnë. Dallimi qëndron jo te sasia, por te cilësia: përderisa shahet me shumë “densitet” emotiv e teatralitet dhe pa ndonjë bazë, mbrojtja i vjen kohë pas kohe, ndoshta më pak në sasi, por shumë më e fortë në cilësi, sepse atë që shkruajnë në favor të tij, këtë e bëjnë me fuqinë e argumenteve.

Këtu dhe qëndron thelbi i gjithë problemit të oponentëve me Artan Grubin.

Çështja e parë pse oponentëve iu pengon ai, është se bën pjesë në garniturën në pushtet, që duan ta rrëzojnë. E sulmojnë Grubin, në mënyrat më të ndryshme, për ta detyruar qeverinë të japë dorëheqje dhe të ndërpresë të gjitha proceset e nisura. Këtu Grubi u vjen oponentëve si një cak për gjah, që duke e sharë ose lëvduar atë, ta komprometojnë vetë qeverinë dhe politikat properëndimore.

E dyta, për partitë politike me dell nacionalist, Grubi u është i përshtatshëm si shqiptar dhe duke e ngritur në qiell pozicionin dhe ndikimin e tij, duan ta ulin vlerën e partnerit maqedonas të koalicionit. Me qëllim të fusë pyka në unitetin e koalicionit.

Këtë “formulë magjike” një opozitë e tillë nuk lë pa e shfrytëzuar, duke besuar se kjo prapë do të pijë ujë te njerëzit naivë.

E treta, është shkasi për ta bërë orkestrimin e të gjitha sulmeve. E ai, është projekti i rëndë 1.3 miliardë euro i ndërtimit të Korridorit 8 dhe atij 10D “në fund të mandatit”, diç që e frustron opozitën, e cila duke pasur frikë se mund të shndërrohet në një kapital të madh politik për zgjedhjet e ardhshme pranverore, përpiqet me çdo kusht ta pengojë, ose të hedhë baltë mbi të. Ndaj dhe ende pa nisur ndërtimi, krijon narrativin për “projektin më të madh korruptiv”.

Në gjithë këtë, duket ka një llogari “pahanxiun” nga oponentët. Ata kanë menduar se me akuzat e pareshtura, do ta bëjnë Grubin të dorëzohet “pa luftë” me të krisur “fishekun” e parë, ndërkaq ndodh e kundërta. Që ditën kur para do kohe në Kuvend u tha deputetëve të VMRO-së dhe Të të Majtës, urdhëroni, nxirrni gjithçka që keni kompromuetuese, ndërkaq organeve tjera, Prokurorisë, po ashtu që të merret me këto dyshime, beteja ka marrë tjetër kahe. Artan Grubi nuk lë vend pa e thënë të vërtetën e tij për korridoret 8 dhe 10D, për rëndësinë e tij, për partnerin e zgjedhur për ta realizuar, konzorciumin amerikano-turk Bechtel dhe Enka…

Grubi mund të zgjidhte metodën tjetër, atë të njohurën si “qentë lehin, karvani ecë”, por jo, ai dëshiron ta shuajë zhurmën e lukunisë për të mos marrë jehonë, se publiku mund të mendojë se gjersa nuk ka përgjigje, domethënë gjithçka është e vërtetë. Ndaj dhe nuk heziton të shkojë nga TV-ja në TV, nga tribuna në tribunë, për ta thënë të vërtetën e tij.
Duke pasur vokacionin e një sportisti, Grubi dëshiron të tregojë se është “fajter”, se i dëshiron përballjet, se nuk u frikësohet goditjeve, sepse goditjet e tij janë më të forta se ballonët e mbushur gazëra toksikë të opozitës.

Grubi kësisoj është shndërruar në luftëtar të paepur, jo vetëm që mbron veten nga sulmet nën brez, por dhe mbron më së miri politikat të cilat kanë për bazë synimet gjeostrategjike (hyrja në NATO), interesat jetike të qytetarëve(projektet kapitale, si Korridoret 8 dhe 10D), politikat për përballje me situatat emergjente(pandemia, kriza energjetike…)të cilat vetvetiu flasin. Këtu është forca që sulmuesit i bën inferiorë kundrejt tij.

Në këtë shkrim nuk i kushtuam shumë vëmendje betejës së dytë të Grubit, me oponentët brenda Bashkimit Demokratik për Integrim. Nëse mund të bëjmë një rezime të shkurtër edhe për këtë, atëherë do të kishim thënë se kjo është beteja më e pavullnetshme e tij që të merret me bashkëpartiakët,me të cilët, dorën në zemër, nuk e ka nisur i pari sherrin. I sigurt me besimin që gëzon nga lideri i partisë, Ali Ahmeti, me meritat dhe rolin unifikues që ka ai, Grubi sa është e mundur i ka ikur debatit me oponentët e brendshëm, diçka për shkak të përpjekjeve të Ali Ahmetit për ta ruajtur unitetin partiak duke iu dhënë mundësi që pakënaqësinë e tyre ta artikulojnë përmes organeve të BDI-së, e diçka edhe për shkak të mos humbjes së energjisë në këtë çështje, përderisa BDI-ja dhe qeveria kanë prioritete më të mëdha se sa me u marrë me vetveten.

Kjo nuk do të thotë se Grubi është krejtësisht në defanzivë kundrejt bashkëpartiakëve që kërkojnë largimin e tij, por në strategjinë për të mos u përgjigjur shpesh, ka arritur që t’i bëjë ata të flasin më shumë se ç’duhet, duke kaluar vijën e kuqe e duke mos u marrë vetëm me të, por dhe me vetë Ali Ahmetin, diç që ata i bën të humbur. Sepse, largimi nga rruga e Ali Ahmetit, i bën pre të lehtë të gjahut politik që i çon në defaktorizim, diç që e kanë sprovuar më parë edhe disa të pakënaqur të tjerë. Edhe këtu, duket se Grubi është në anën e duhur.

Related posts

Probleme me Facebookun, përdoruesit në mbarë botën ankohen se nuk mund të hyjnë as në Instagram

e-max

Çfarë e pret Europën në vitin 2022?

e-max

Twitter po teston një buton CC për titrat në video

e-max