Javën e ardhshme vendin e pret mot shumë i ngrohët, me temperatura përvëluese që do të kalojnë mbi 40 gradë celsius. Sipas sinoptikëve, sot dhe nesër vendi do të jetë nën ndikim e motit më të freskët, ndërsa nga dita e diel temperaturat do të shënojnë rritje dhe për gjatë gjithë javës tjetër do të ketë mot përvëlues
“Temperaturat do të shënojnë rritje, zona jonë do të jetë nën ndikimin e valëve shumë të ngrohta nga jugu, kështu që do të kemi mot të ngrohët, veçanërisht gjatë gjithë javës së ardhshme. Kështu që, në shumë vende do të kemi rritje të temperaturave mbi 35 gradë celsius, ndërsa në vendet më të nxehta të vendit do të kalojnë edhe mbi 40 gradë celsius”, tha Lençe Rsitova, sinoptike.
Ministria e Shëndetësisë u apelon qytetarët që t’i respektojnë rekomandimet e përgjithshme për mbrojtje nga i nxehti përvëlues.
“Qëndroni në ambiente të mbyllura dhe të freskëta, veçanërisht në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00. Konsumoni mjaftueshëm lëngje, duke shmangur pijet alkoolike dhe ato të ëmbla. Vishni rroba të lehta dhe me ngjyrë të çelët, dhe përdorni mbrojtje për kokën dhe sytë. Shmangni aktivitetet fizike gjatë orëve më të nxehta të ditës. Kushtoni vëmendje fëmijëve, të moshuarve, personave me sëmundje kronike dhe grave shtatzëna – këto grupe janë veçanërisht të ndjeshme ndaj temperaturave të larta”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë, gjithashtu thotë se në rast të simptomave si marramendje, dhimbje koke, të përziera ose rrahje të shpejta të zemrës, qytetarët të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore. Të sigurohen ambiente të freskëta me temperaturë deri në 25°C si në vendin e punës ashtu edhe në shtëpi. Shkupi, Demir Kapija, Velesi, dhe Gjevgjelia, pritet që gjatë javës së ardhshme të kenë temperaturat më të larta ditore, ku ajo maksimalja do të kalojë mbi 40 gradë.