GazetaMax
Lajme

Nga gurë-themeli në seanca gjyqësore, kaluan 11 vite kurse objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës mbeti me dyer të mbyllura

Punimet për përfundimin e objektit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës do të zvarriten përsëri dhe nuk do të përfundojnë këtë vit. Ndonëse ky objekt ndërtohet mbi 11 vite, ende nuk ka datë konkrete se kur përfundimisht do t’i hapë dyert për publikun, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse në fund të vitit 2024 u paralajmërua se deri në fund të këtij viti pritet të përfundojnë punimet për objektin e ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, punimet do të zgjasin më shumë, ndërsa nuk ka afat konkret se kur pritet të përfundojnë.

Edhe pse Portalb.mk kërkoi detaje konkrete, nga Ministria e Kulturës na thanë se personi përgjegjës ndodhet në pushim, por theksuan se ministria ndan fondet dhe se detajet e projektit i ka Qendra për Kulturë në Tetovë.

Njomza Imeri Ismaili, drejtoresha e Qendrës për Kulturë në Tetovë, institucioni që është bartës i këtij projekti, për Portalb.mk tha se punimet vazhdojnë, megjithatë do të ketë zgjatje të afatit.

Drejtoresha sqaroi se momentalisht punohet në fazën e dytë të projektit, në makineri, elektrikë dhe punët tjera të brendshme.

“Të them të drejtën ende ka punë, domethënë nuk mund të themi se afati ka qenë gjatë këtij viti vijues të jetë fundi, që do të ishim shumë të gëzuar si tetovarë ta gëzojmë këtë objekt këtë vit, me shumë gjasa do të ketë vazhdimësi të afatit që do jetë vendim nga qeveria në bazë të mjeteve që do të ndahen”, tha Imeri Ismaili.

Ajo theksoi se si Qendër për Kulturë së bashku me Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës do të ‘luftojnë’ që ky projekt të përfundojë sa më shpejtë.

Në ndërkohë, për drejtorin e Teatrit të Tetovës, Hasim Memishi Sopin, është paradoks që ata të cilët duhet të hyjnë në objektin e ri, nuk janë përgjegjës për dokumentacionin e objektit.

“Ndërtohet teatri dhe biblioteka e Tetovës kurse mbikëqyrjen dhe dokumentet i ka Pallati i Kulturës, dhe kjo është një non sens, nuk e di pse ka ndodhur. Ne tani as investime nuk mund të bëjmë në objektin aktual nga shkaku se ministria thotë se do të dilni shpejtë në objektin e ri, nuk mundet edhe të ndërtojmë objektin e ri edhe këndej të bëjmë renovime”, tha Memishi për Portalb.mk.

Ai ritheksoi se nevoja për hapsira të reja është mjaft e madhe, sepse nëse e anë objektin e ri do të ketë repertor të vazhdueshëm të shfaqjeve.

Kujtojmë që në nëntor 2024 Ministria e Kulturës paralajmëroi se objekti i Teatrit të Tetovës do të përfundojë deri në fund të vitit 2025, më herët nga viti 2027 që kishte paralajmëruar ish ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçeska. Megjithatë, në prill 2024, ministri i Kulturës, Zoran Lutkov vlerësoi se punimet për përfundimin e objektit të Teatrit të Tetovës nuk pritet të përfundojnë në afatin e paraparë i cili ishte për në fund të këtij viti.

Biblioteka edhe Teatri i Tetovës funksionojnë në hapësira të Pallatit të Kulturës, të cilat nuk ju ofrojnë kushtet më të mira të punës. Për këtë ata për vite me radhë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre e shpesh edhe dëshpërim pasi punimet për këtë objekt zvarriten për vite me radhë.

Ndërkaq në 2023 Biblioteka u zhvendos në hapësira të tjera brenda Pallatit, që shkaktoi përplasje midis Bibliotekës dhe Ministrisë së Kulturës.

Përveç se nevojë e Bibliotekës, objekti është nevojë urgjente edhe e Teatrit të Tetovës, për të cilin aktorët dhe nga ky teatër disa herë tani më kanë sqaruar se mungesa e një objekti ndikon në punën dhe kufizimin e aktiviteteve të tyre.

Objekti i ri i Teatrit të Tetovës premtohet për 15 vite, ndërsa ka filluar të ndërtohet në 11 vitet e fundit dhe ende nuk dihet nëse do të përfundojë në afatin e dhënë sepse vazhdimisht afatet kanë ndryshuar dhe punimet janë zvarritur.

Nëse vërtetë realizohet siç thuhet, ky objekt thellësisht i rëndësishëm për kulturën tetovare, do të ketë dyert hapur 15 vite pas premtimit të dhënë.

Ndërtimi i Objektit të Teatrit dhe Bibliotekës ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska–Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë.

Gurë-themeli për ndërtimin e këtij objekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014. Punimet janë zhvilluar shumë ngadalë dhe me shumë probleme të cilat Portalb i ka dokumentuar ndër vite.

Derisa punimet janë zvarritur, janë bërë keqpërdorime të mëdha financiare për këtë projekt.

Më 18 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dorëzoi në Gjykatën Penale në Shkup aktakuzë kundër një personi dhe propozim aktakuzë kundër një personi juridik dhe tre personave fizikë. Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020, dyshohet se kanë arritur përfitime pasurore të mëdha në shumë prej 832.983.064,00 denarë (mbi 13 milionë euro).

Për këtë rast, në Gjykatën e Tetovës ka filluar procesi gjyqësor, deri më tani është mbajtur një seancë e cila u shty për më 17 shtator.

Related posts

Një jetë e re përsëri/ Pacienti me transplant të mëlçisë lëshoi spitalin

Gazeta Max

Bekteshi takon banorët e Shuto Orizares

Gazeta Max

Reagojnë Gjelaj dhe Camaj, dënojnë aktet provokuese në Bozhaj

Gazeta Max