GazetaMax
Lajme

Njohësi i sigurisë Ibishi: Ka tendenca për ngritje të tensioneve

Betimi i kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq shkoi mirë, kjo edhe falë organizimit të mirë operacional të Policisë së Kosovës, për ta mbajtur rendin e qetësinë, por edhe për faktin se nuk kishte reagime nga pala serbe, sepse ashtu urdhëroi presidenti i tyre Vuçiq. Kështu ka thënë në emisionin në RTK, Nuredin Ibishi, njohës i sigurisë.

Përkundër faktit se sot gjithçka shkoi mirë sa i përket betimit të kryetarit në Mitrovicë të Veriut, ai nuk e përjashton mundësinë e ndonjë incidenti gjatë inaugurimit të kryetarëve të tjerë në tri komunat tjera në veri, në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan. Kjo, pasi sipas tij, menjëherë pas betimit të kryetarit në Komunën e Mitrovicës së Veriut, reaguan Lista Serbe dhe i ashtuquajturi drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, të cilët deklarojnë se Policia e Kosovës e ka okupuar veriun.

 

“Ata nuk e shohin Policinë e Kosovës si mbrojtës të rendit e të qetësisë por e akuzojnë atë. Javën e ardhshme pritet inaugurimi i kryetarëve në tri komunat tjera. Ka paralajmërime dhe kërcënime për destabilizim të mundshëm, kjo me urdhrat e një vendi fqinj, Serbisë, përmes Vuçiqit dhe përcillet përmes Listës Serbe dhe ekstremistëve, që janë nën urdhrat e presidentit serb dhe i zbatojnë ato që u thuhet. Prandaj, nuk i përjashtoj incidentet”, tha Ibishi.

Ai pohon se Komuna e Mitrovicës së Veriut ka qenë më e lehtë, ka qenë një lloj pilot – projekti, ndërsa në tri komunat tjera do të jetë më e vështirë. Megjithatë, Ibishi beson se gjithçka do të kalojë mirë edhe do të ketë forca të mjaftueshme për ruajtjen e rendit e qetësisë, edhe pse mendon se do të ketë tendencë për përkeqësim dhe ngritje të tensioneve.

“Besoj se betimi i kryetarëve do të bëhet një nga një dhe pa probleme dhe pastaj do të ketë ecje më të lehtë në inaugurimin e asambleve të komunave. Qëllimi i Vuçiqit është i qartë, destabilizimi i veriut, krijimi i asociacionit të plotë, autonomi dhe largim të Policisë së Kosovës nga veriu vendit”, ka thënë pos tjerash Ibishi.

Related posts

Me zero tolerancë dhe luftë pa kompromis kundër trafikimit me njerëz

Gazetamax.mk

Objekti i shkollës “Rilindja” në Sellcë po merr formë/ Grubi: Përkujdesemi që kjo vatër e dijes të jetë në dispozicion të rreth 300 nxënësve

Gazetamax.mk

Kolona të gjata në pikëkalimin kufitar Bllacë

Gazetamax.mk