Oda e Arkitektëve anëtarësohet në Këshillin e Arkitektëve të Evropës

Oda e Arkitektëve të Republikës së Kosovës (OARK) është bërë pjesë zyrtare e Këshillit të Arkitektëve të Evropës (ACE), raporton KosovaPress.

Vendimi është marrë nga Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Arkitektëve të Evropës (ACE) më 26 nëntor në Bruksel.

Me këtë vendim, arkitektët e licencuar të Kosovës përfaqësohen në ACE edhe përmes institucionit që rregullon ushtrimin e profesionit në vend.

Në prezantimin para Asamblesë, kryetarja e OARK-së, Mimoza Haxhija Jedrashi, prezantoi përvojën e Kosovës në themelimin e Odës dhe ngritjen e sistemit të licencimit.

Ajo veçoi si prioritet bashkëpunimin me odat evropiane për përgatitjen e arkitektëve të rinj për ushtrimin e profesionit dhe për vlerësimin e kualifikimeve të tyre.

“Për arkitektët që punojnë në Kosovë, ky bashkëpunim ka rëndësi edhe për mënyrën si organizohen konkurset publike të arkitekturës dhe si përzgjidhen projektet mbi bazën e cilësisë. Për ata që synojnë të punojnë jashtë vendit, lidhja me odat homologe mund të ndihmojë në sqarimin e procedurave për njohjen e kualifikimeve dhe të kushteve që përcakton shteti pritës për ushtrimin e profesionit”, tha ajo.

OARK është themeluar në janar 2025 dhe ka mandat ligjor për licencimin e arkitektëve, mbajtjen e regjistrit publik, mbikëqyrjen e standardeve profesionale dhe organizimin e edukimit të vazhdueshëm.

Burimi: botasot.info