Pellegrini: Përballë kemi një skuadër të vështirë

Skuadra e Betisit zhvilloi këtë mëngjes seancën e fundit stërvitore para ndeshjes me Rayo Vallecanon.

Pas përfundimit të stërvitjes, trajneri Manuel Pellegrini doli para mediave në qendrën stërvitore të klubit për të folur rreth sfidës së radhës dhe gjendjes aktuale të ekipit.

“Skuadra vjen në gjendje të mirë. Fakti që praktikisht e kemi siguruar kualifikimin në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve na jep shumë moral, por nuk duhet të na krijojë vetëbesim të tepruar, sepse bëhet fjalë për dy gara të ndryshme.

Duhet të rikthehemi në La Liga me synimin për ta ruajtur pozitën që kemi dhe, natyrisht, për ta përmirësuar atë. Përballë kemi një skuadër të vështirë si Rayo Vallecano”, deklaroi Pellegrini.

Duke folur për stadiumin “La Cartuja”, ku Betisi po i zhvillon ndeshjet si vendas, Pellegrini vlerësoi mbështetjen e tifozëve, por theksoi se dëshira e tij është rikthimi sa më i shpejtë në stadiumin “Benito Villamarin”.

“Gjendja e fushës është e mirë. Kam biseduar me personin përgjegjës për mirëmbajtjen dhe gjithçka është në rregull.

Të luash si vendas është gjithmonë e rëndësishme. Para një muaji luajtëm katër ndeshje radhazi në shtëpi, ndërsa tani na u desh të zhvillonim disa takime jashtë. Mbështetja e tifozëve në tribuna gjithmonë e ndihmon skuadrën dhe shpresoj të zhvillojmë një paraqitje shumë të mirë para publikut tonë”.

Megjithatë, trajneri kilian nuk e fshehu preferencën për stadiumin e tij të zakonshëm.

“Paraqitjet tona në ‘La Cartuja’ kanë qenë gjithmonë shumë të mira. Kemi mbështetjen e 60 mijë tifozëve dhe kjo mbështetje është e vazhdueshme. Por atmosfera nuk është e njëjtë si në Benito Villamarin, sepse në ‘La Cartuja’ tifozët janë më larg fushës. Ne e ndiejmë përkrahjen e tyre, por idealja do të ishte të riktheheshim sa më shpejt në stadiumin tonë”, u shpreh Pellegrini.

Betisi synon tetëshen e parë në Ligën e Kampionëve

Pellegrini u shpreh shumë i kënaqur me paraqitjet e skuadrës në Ligën e Kampionëve, ku Betisi ka grumbulluar 12 pikë nga 15 të mundshme.

“Ndjesia është shumë pozitive. Grumbullimi i 12 pikëve nga 15 të mundshme është një rezultat shumë i mirë në Ligën e Kampionëve.

Ajo që më kënaq edhe më shumë është pjekuria e skuadrës, e cila nuk është përqendruar vetëm te kjo garë. Në kampionat jemi në vendin e katërt. Shpesh ndodh që një skuadër të paraqitet shumë mirë në Ligën e Kampionëve, por në kampionat të jetë në vendin e 12-të apo të 15-të. Ne kemi treguar pjekuri dhe kemi arritur të jemi konkurrues në të dyja garat.

Praktikisht e kemi siguruar një vend në mesin e 24 skuadrave dhe do të synojmë të përfundojmë në tetëshen e parë, pa e lënë asnjëherë pas dore La Ligën. Kjo është ajo që jam munduar gjithmonë t’ua përcjell lojtarëve”, deklaroi trajneri.

Burimi: botasot.info