Një operacion i jashtëzakonshëm mashtrimi u organizua në Turqi muajin e kaluar për të garantuar largimin e sigurt të presidentit amerikan Donald Trump, pasi shërbimet amerikane të inteligjencës vlerësuan se Irani përbënte një kërcënim të besueshëm ndaj tij.
Sipas raportimeve të The New York Times dhe The Washington Post, Trump u shfaq publikisht duke hipur në avionin presidencial Air Force One, duke krijuar përshtypjen se do të udhëtonte me të pas përfundimit të samitit të NATO-s.
Por ajo që ndodhi më pas ishte krejt ndryshe. Trump u nxor në mënyrë të fshehtë nga avioni dhe u transferua në një tjetër avion , me të cilin udhëtoi drejt Britanisë së Madhe pa u vënë re.
Plani u hartua brenda pak orësh
Sipas New York Times, Trump ishte planifikuar të largohej nga Turqia më 8 korrik, pas përfundimit të samitit të NATO-s.
Fillimisht ishte bërë e ditur se presidenti nuk do të përdorte Boeing 747-8 të ri, të dhuruar nga Katari, për pjesën e parë të udhëtimit të kthimit. Në vend të tij do të përdorej një prej avionëve më të vjetër të flotës presidenciale.
Në atë kohë, Trump e kishte shpjeguar zgjedhjen me një arsye më të thjeshtë, madje nostalgjike. Ai u tha gazetarëve se dëshironte të udhëtonte me avionin e vjetër për të “kujtuar ditët e vjetra”.
Por pas kësaj zgjedhjeje fshihej një tjetër arsye. Para kamerave, Trump hipi në Air Force One nga ana e majtë e avionit. Gazetarët që e shoqëronin presidentin u ngjitën gjithashtu në bord dhe gjithçka dukej normale. Në fakt, ata nuk do të udhëtonin me presidentin.
Në anën tjetër të avionit ishte vendosur një kontejner furnizimesh. Sipas një zyrtari amerikan të cituar nga New York Times, Trump u nxor fshehurazi përmes kësaj zone dhe u transferua në një avion të tretë.
Vetëm një grup shumë i vogël zyrtarësh të lartë amerikanë ishte në dijeni të planit. Gazetarët dhe një pjesë e stafit të Shtëpisë së Bardhë, pa e ditur, u bënë pjesë e skenarit të mashtrimit.

Si u “zhduk” Trumpi nga radarët
Avioni që transportoi fshehurazi Trumpin drejt Britanisë ishte një C-32A, versioni ushtarak i Boeing 757, sipas Washington Post.
Ndryshe nga Air Force One, avioni nuk përdori shenjën e zakonshme presidenciale. Ai fluturoi me shenjën e thirrjes “Reach 18”, ose “RCH18”, ndërsa sistemet që do ta bënin më të lehtë gjurmimin e tij gjatë fluturimit u çaktivizuan.
Ndërkohë, Boeing 747 më i vjetër, i cili u largua nga Turqia me gazetarët dhe disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, por pa Trumpin në bord, vazhdoi të shfaqej në radar me shenjën “AF1”.
Pra, gjithçka ishte ndërtuar për të krijuar përshtypjen se presidenti ndodhej në avionin që po ndiqej publikisht. Në realitet, Trump po fluturonte drejt Britanisë në një tjetër avion.
Në C-32A ndodhej edhe sekretari i Luftës, Pete Hegseth. Ai u ngjit në avion përmes një shkalle të jashtme, në mënyrë që prania e mjetit në aeroport të dukej si pjesë e një fluturimi të zakonshëm qeveritar.
As gazetarët që ndodheshin në Air Force One-in e vjetër dhe as disa prej punonjësve të Shtëpisë së Bardhë nuk u informuan se Trump nuk po udhëtonte me ta. Pas ngritjes nga Turqia, gazetarëve iu kërkua madje të mbanin të mbyllura perdet e dritareve në kabinën e shtypit.
Avioni u ul në orën 22:16 në bazën ushtarake Mildenhall, në Britani. Rreth 40 minuta më vonë, Trump u shfaq para kamerave sikur sapo kishte zbritur nga Air Force One dhe kishte përfunduar normalisht udhëtimin nga Turqia.
Por edhe kjo ishte pjesë e skenarit. Pasi avioni ushtarak me të cilin kishte udhëtuar në fshehtësi u ul, Trump u transferua në Air Force One-in e vjetër. Ai hyri në avion nga një tjetër hyrje dhe më pas zbriti nga dera e sipërme majtas, pikërisht përpara gazetarëve.
Në këtë mënyrë, u krijua përshtypja se presidenti kishte udhëtuar nga Turqia në Britani me avionin që të gjithë kishin parë të ngrihej.
Më pas, Trump kaloi drejt avionit të ri presidencial të dhuruar nga Katari dhe u nis për në Uashington, këtë herë së bashku me gazetarët.
Pse u ndërmor një operacion i tillë?
Pas gjithë këtij operacioni qëndronte një vlerësim serioz i shërbimeve amerikane të inteligjencës: ekzistonte një kërcënim i besueshëm iranian ndaj Trumpit.
Sipas burimeve të cituara nga New York Times, kërcënimi nuk lidhej vetëm me një avion të caktuar. Informacioni i inteligjencës sugjeronte se objektivi ishte vetë presidenti amerikan, pavarësisht avionit me të cilin do të udhëtonte.
Trump u informua për kërcënimin ndërsa ndodhej ende në Turqi dhe brenda pak orësh, u hartua plani për largimin e tij.
Në grupin e vogël të zyrtarëve të përfshirë në planifikim, sipas gazetës amerikane, ishin sekretari i Luftës Pete Hegseth dhe kryetari i Shtabit të Përbashkët, gjenerali Dan Kaine.
Në këtë mënyrë, Air Force One u shndërrua në një lloj “karremi”, ndërsa presidenti udhëtoi fshehurazi në një avion tjetër.
