Ronaldo asnjëherë nuk votoi për Messin, zbulohet lista e plotë e votave të tij për Topin e Artë

Cristiano Ronaldo, fitues i pesë Topave të Artë, ka qenë jo vetëm protagonist i shumë ceremonive të këtij çmimi, por edhe pjesë e jurisë në disa edicione, në të cilat ka pasur mundësinë të votojë për futbollistët më të mirë të vitit.

Zgjedhjet e portugezit gjatë viteve zbulojnë një preferencë të qartë për bashkëlojtarët e tij, veçanërisht ata që luanin te Real Madridi, ndërsa një detaj që bie në sy është se ai asnjëherë nuk e përfshiu Lionel Messin në votat e tij.

Ronaldo votoi për çmimin kryesor nga viti 2010 deri më 2015, në cilësinë e kapitenit të Përfaqësueses së Portugalisë, ndërsa në vitin 2021 u rikthye për të votuar në kategorinë e talentit më të mirë të ri, e njohur si Kopa Trophy.

Sistemi i votimit ishte i njëjtë, me pesë pikë për zgjedhjen e parë, tri për të dytën dhe një për të tretën.

Në vitin 2010, Ronaldo e vendosi Xavi Hernandezin në vendin e parë, Iker Casillasin në të dytin dhe Wesley Sneijderin në të tretin.

Pas mungesës në votimet e viteve 2011 dhe 2012, ai u rikthye në vitin 2013, duke votuar për Radamel Falcaon, Gareth Bale dhe Mesut Özilin, në këtë renditje.

Në vitin 2014, zgjedhja e tij e parë ishte Sergio Ramos, i ndjekur nga Bale dhe Karim Benzema, ndërsa një vit më vonë, në vitin 2015, Benzema ishte favoriti i tij, me James Rodriguezin në vendin e dytë dhe sërish Bale në të tretin, raporton Kosovapress.

Ronaldo votoi edhe në vitin 2021 për çmimin Kopa, ku Mason Greenwood ishte zgjedhja e tij e parë, i ndjekur nga Nuno Mendes dhe Giovanni Reyna.

Gjatë gjithë këtyre votimeve, Messi nuk figuroi asnjëherë në listën e Ronaldos, ndërsa Xavi mbetet i vetmi futbollist i Barcelonës që portugezi e kishte votuar në kategorinë kryesore.

Zgjedhjet e tij dëshmojnë se, edhe kur bëhej fjalë për vlerësimin e më të mirëve në botë, Ronaldo shpesh u jepte përparësi lojtarëve me të cilët ndante fanellën dhe dhomën e zhveshjes.

Burimi: botasot.info