GazetaMax
Lajme

Osmani: Duhet t’u japim fund provokimeve, s’kemi njoftim zyrtar për tërheqjen e Angellovit

Shkup, 26 janar – Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot nga foltorja e Kuvendit shprehu keqardhjen për aktivitetet e fundit të Sofjes zyrtare. Ai e theksoi nevojën për de-përshkallëzimin e marrëdhënieve dhe apeloi që të vazhdohet me gjakftohtësi dhe kujdes.

“Ne duhet t’u japim fund provokimeve të tilla, por gjithmonë kini parasysh se këto janë grupe të interesuara për të rrëmbyer marrëdhëniet për shumë arsye të tjera, duke përfshirë edhe palët e treta. Si ne ashtu edhe qeveria bullgare nuk duhet t’i nënshtrohemi provokimeve dhe synimeve të provokatorëve dhe rrëmbyesve, të cilët duan të rrëmbejnë të ardhmen tonë evropiane ose të përkeqësojnë imazhin që kemi ndërtuar si shtet”, tha Osmani, duke iu përgjigjur një pyetjeje të deputetëve në seancën e sotme parlamentare.

Sipas tij, duhet të vazhdojmë me gjakftohtësi, ta ruajmë me kujdes atë imazh, të ndërtojmë një strategji për mbrojtjen e interesave shtetërore, ndërsa jo, siç tha, të “kalërojmë në valën e opinionit”.

“Unë thashë se ka filluar sezoni i gjuetisë së provokatorëve dhe përfituesve politikë dhe të gjithë do të mundohen të ndërtojnë narrativën e tyre në tema kaq të ndjeshme”, tha Osmani.

Republika e Maqedonisë së Veriut, siç theksoi Osmani, tregoi një kapacitet të fortë, demokratik dhe institucional dhe me një procedurë të shpejtë dhe efikase, incidentin e fundit e kaloi në proceset gjyqësore, duke e zbuluar dhe ndaluar autorin e veprës penale ndaj të cilit janë kryer veprime hetimore në mënyrë aktive.

“Dënimi ynë ka qenë pasi prokuroria në Ohër ka pasur vlerësim fillestar se incidenti ka ndodhur për shkak të elementeve identitare apo etnike”, tha Osmani.

Në deklaratë për Radion Evropa e Lirë, shefi i diplomacisë informoi se MPJ-ja e Maqedonisë nuk ka marrë konfirmim zyrtar nëse tërheqja e ambasadorit bullgar është për shkak të rrahjes së sekretarit të klubit bullgar në Ohër.

“Nëse tërheqja e ambasadorit bullgar nga Maqedonia ka lidhje me incidentin që ndodhi në Ohër, do ta konsideroja veprim joproporcional, sepse është një incident individual për të cilin shteti ka marrë të gjitha masat e mundshme”, tha Osmani për Radion Evropa e Lirë.

Sofja zyrtare tërhoqi dje ambasadorin e saj nga Maqedonia e Veriut. Sot ka reaguar edhe MPJ e Maqedonisë, e cila vlerëson se aktivitetet e fundit të Sofjes zyrtare nuk janë në përputhje me praktikën e dakorduar për avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe se paraqesin nënshtrim ndaj provokimeve të atyre që duan të pengojnë përpjekjet e dy qeverive për një zhvillim të qëndrueshëm dhe pozitiv të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Related posts

Drejtori i QIK-ut i humbur në kohë e hapësirë: Luftën në Ukrainë e paskan shpikur mediat

Gazetamax.mk

Kovaçevski: Takimi me Taravarin, vazhdim i takimeve me liderët e partive politike

Gazetamax.mk

Kabineti qeveritar nën llupën financiare, në Qershor dorëzojnë raport se sa kanë shpenzuar

Gazetamax.mk