GazetaMax
Lajme

Osmani paralajmëron intensifikimin e bisedave për përkrahje të ndryshimeve kushtetuese

Shkup, 26 dhjetor – Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani sot ka shprehur bindje se vitin e ardhshëm do të miratohen ndryshimet kushtetuese, duke theksuar se nuk ka asjgë kontroverse në atë që bullgarët, malazezët dhe kroatët të vendosen në Kushtetutë, ndërsa vërejtjet e disa subjekteve të caktuara, i vlerësoi si koreografi ditore-politike në tentim që të fitohet plus ndonjë pikë politike. Osmani potencoi se javën e ardhshme do të intensifikohen bisedat për sigurimin e shumicës prej dy të tretave, e cila nevojitet për votimin për hapjen e Kushtetutës.

Ai sot në brifingun vjetor me mediumet tha se është tejet e pandershme që një nga çështjet kryesore për qytetarët – anëtarësimi në BE, të vendoset në zënkat ditore-politike dhe shtoi se vlerëson se gjatë vitit të ardhshëm këtë do ta shohin të gjitha partitë politike.

Osmani iu përgjigj pyetjes së gazetarëve lidhur me qëndrimin, të cilin e parashtroi Bilall Kasami, respektivisht përkrahjen për ndryshimet kushtetuese në këmbim për zgjedhje të parakohshme pranverën e ardhshme ose në të kundërtën paralajmëroi radikalizim të hapave, të cilat do t’i ndërmarrin ose protesta.

Ai përmendi se asnjë parti politike nuk është në linjë me qëndrimin se nuk duhet të respektohen të drejtat e pakicave etnike, duke theksuar se edhe dje lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka dalë me qëndrim se nuk ka “asgjë kundër popullit bullgar, por kundër shantazheve bullgare”.

“Thelbi i ndryshimeve kushtetuese është se ato aspak nuk janë kontroverse dhe me atë të gjithë pajtohemi, pasi një qasje, të cilën shteti tashmë e ka ndërmarrë, si raporti ndaj komuniteteve, tani i përfshin edhe komunitetet tjera, të cilat atëherë për shkak të rrethanave të caktuara nuk janë përfshirë. Në rendin tonë kushtetues, përveç 20 përqindshit, nuk ka kategorizim tjetër, me të cilin do të përjashtonin ose përfshinin ndonjë komunitet. Nëse munden të përfshihen komunitetet tjera, pse të përjashtohen malazezët, kroatët dhe bullgarët dhe cilat do të ishin pasojat për shtetin, përveç konfirmimit të imazhit tonë më të njohur në botë, e ai është raporti mes komuniteteve, harmonia ndëretnike, demokracia ndërkultrore. Ky është aduti ynë më i madh që na ka hapur dyert. Ne u bëmë shtet model, i cili në rajon të vështirë, ka arritur të krijojë harmoni multietnike, i cili tani bëhet shembull se si shtetet tjera ta zgjidhin këtë çështje”, tha Osmani.

Ministri i Punëve të Jashtme theksoi se pret përkrahje, pasi, siç potencoi, askush nuk ka asgjë kundër përmbajtjes së ndryshimeve, por shtoi edhe se të gjithë janë të vetëdijshëm se ky proces është tanimë i instaluar në procesin e negociatave me BE-në dhe nuk ka alternativë tjetër.

Lidhur me mundësinë për bllokada të reja nga ana e Bullgarisë edhe nëse vjen deri në ndryshim të kushtetutës, Osmani tha se në dokumentet të cilat i kanë nënshkruar dhe në kornizë nuk ka bazë për këtë, por shtoi se jo vetëm Sofja, por edhe anëtaret tjera mund të na bllokojnë, nëse dëshirojnë, duke marrë parasysh atë se vendimet në BE merren me konsenzus. Ai shtoi se pikërisht për këtë shkak, në këtë moment po ndërtohet ky raport me Bullgarinë, me qëllim që në të ardhmen të mos ekzistojë asnjë argument për bllokada të reja.

Related posts

Me cilat vende ka shkëmbim tregtar më shumë vendi jonë

Gazetamax.mk

Në Kumanovë konfiskohen 800 kg produkte ushqimore me afat të skaduar

Gazetamax.mk

Kovaçevski: Është reale të hyjmë në BE në vitin 2030

Gazetamax.mk