Prej në mars pagat e mësimdhënësve rriten për 7.5%, bëri të ditur Ministrja e arsimit Vesna Janevska. Përveç kësaj ajo tha se ulja e bllok-dotacioneve për shkollat fillore dhe të mesme synon korrigjimin e anomalive në sistemin arsimor dhe shpërndarjen më të drejtë të mjeteve. Ajo bëri të ditur se janë bashkuar 433 paralele dhe se procesi i optimizimit të rrjetit të shkollave pritet të përfundojë brenda katër deri në pesë vjetësh. Janevska theksoi se gjatë kësaj periudhe nuk do të ketë punësime të reja të mësimdhënësve.
“Përfshirja e rritjes së pagave të mësimdhënësve është paraparë në buxhet. Kemi marrëveshje me SASHK-un dhe atë që e kemi premtuar, po e realizojmë. Në mars, ata do të marrin rritje të pagave prej së paku 7.5 për qind”, deklaroi Janevska.
Sa i përket shujtës studentore, ministrja paralajmëroi takim me kryetarin e ri të Kuvendit Studentor të Universitetit “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup, për të diskutuar modelin e ri të ushqimit studentor. Pas këtij takimi, do të organizohet edhe një takim me përfaqësuesit e kuvendeve studentore nga të gjitha universitetet. Janevska tha se modeli ende po përpunohet dhe parasheh një aplikacion elektronik ose vauçer.
“Ajo që është e rëndësishme është se do të ketë edhe një aplikacion elektronik, përmes të cilit studentët, në të gjithë operatorët që do t’i përzgjedhë Qeveria, me kartelën për ushqim studentor, do të përfitojnë 20 për qind zbritje. Pra, përmes aplikacionit për ushqim studentor ose vauçerit, do të kenë 20 për qind zbritje për atë që do të blejnë me ato mjete, si dhe 20 për qind zbritje për gjithçka tjetër në atë operator. Një masë e tillë, në një krizë të tillë, vërtet tregon se kujdesemi shumë për studentët dhe se kujdesemi veçanërisht për të rinjtë në vend”, tha më tej Janevska.
Megjithatë, studentët kanë kërkuar rritjen e menjëhershme të subvencionit për ushqim nga 140 në 200 denarë, përkatësisht nga 3.500 në 4.500 denarë në muaj, si dhe përshtatjen e tij të rregullt me inflacionin. Studentët kanë kërkuar edhe subvencionimin e transportit ndërqytetas dhe përmirësimin e kushteve në konvikte.
Burimi:TV21
