Parlamenti Evropian voton raportin, Shqipëria gati për fillimin e negociatave me BE

Bruksel, 20 Prill – Komiteti i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian votoi me 66 vota pro, 4 kundër dhe 3 abstenime raportin e Isabel Santos mbi vlerësimin e Komisionit Europian për progresin e Shqipërisë në integrimin europian gjatë vitit 2021.

Në raport, eurodeputetët vlerësojnë angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin europian dhe shprehin mbështetje e qartë për transformimin demokratik të vendit dhe aspiratën për anëtarësim në BE.

Eurodeputetët shprehën keqardhjen  për dështimin e hapjes së negociatave të vonuara të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar solidaritetin e plotë me qytetarët e këtyre vendeve. Ky dështim, sipas tyre, minon qëndrimet e publikut ndaj BE-së dhe përbën një rrezik serioz për politikën e zgjerimit të BE-së në tërësi.

Eurodeputetët theksojnë se të dyja vendet kanë plotësuar kushtet e vendosura nga Këshilli Evropian. Duke vlerësuar vazhdimësinë e Shqipërisë si një partner i besueshëm dhe i përkushtuar i politikës së jashtme, plotësisht në përputhje me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes së BE-së, raporti Santos i bën thirrje BE-së të vlerësojë në mënyrë kritike “Implikimet historike të rëndësishme të sigurisë për stabilitetin dhe unitetin në kontinentin evropian dhe në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës”. Ajo u kërkon vendeve anëtare të demonstrojnë unitetin evropian duke nisur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke marrë parasysh si implikimet gjeopolitike të vendimit ashtu edhe përmbushjen e kritereve zyrtare nga të dy vendet.

Raporti përsërit se anëtarësimi i Shqipërisë në BE varet nga reformat e qëndrueshme dhe të pakthyeshme në fushat kryesore të politikave. Eurodeputetët i bëjnë thirrje Shqipërisë të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të forcuar funksionimin e gjyqësorit, për të forcuar demokracinë, shtetin e së drejtës dhe ekonominë. Vendi duhet gjithashtu të fuqizojë shoqërinë civile, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, të sigurojë lirinë e medias dhe të garantojë mbrojtjen e të drejtave të pakicave, duke përfshirë komunitetin LGBTQI.

Të fundit në përqindje